Nuk e morën në ekskursion, shqiptari i kërkon shkollës 400 mijë euro dëmshpërblim

Klasa e tij kishte organizuar ekskursionin e fundvitit, që shumë prej nxënësve pret qysh nga fillimi. Destinacioni ishte nga më ndjellësit në absolut për adoleshentët, Amsterdami.

Por një të riu shqiptar që studionte në shkollën e mesme të Sansepolcros, në afërsi të qytetit italian të Arezzos, kjo mundësi iu refuzua. Jo sot, por 12 vjet më parë, dhe arsyeja ishte mesatarja e ulët.

Atë zhgënjim dhe turp Endri Begaj nuk e ka harruar kurrë, dhe sot që është 32-vjeçar vazhdon një betejë gjyqësore me shkollën e tij të hershme.   

Shkolla e mesme “Piero della Francesca”, ku u refuzua shqiptari

Shqiptari së bashku me avokatin e tij pretendojnë se nga ai vendim u gjeneruan konflikte të ashpra që përfunduan në përjashtimin e shqiptarit nga shkolla.  

Sot ai kërkon një dëmshpërblim që shkon në shifrën 400 mijë euro, pasi sipas tij përjashtimi i kushtoi mundësinë shkollimit, miqësitë vjetra dhe gjetjen e një pune dinjitoze.  

Rasti u bë i famshëm edhe disa vite më parë, dhe shkoi deri në Parlament, ku u citua gjatë një debati si shembull i thyerjes së të drejtës kushtetuese.

Por ditët e fundit Gjyqësia italiane ka vendosur që të transferojë çështjen nga Gjykata Administrative në atë Civile, me shpenzimet që i ngarkohen vetë shkollës.

Ndoshta kërkesa e shqiptarit që fillimisht dukej thjesht kurioze mund t’ i hapë rrugën shumë të tjerave.  

Shkarkoni aplikacionin e A2