Palmer: Njohim realitetin e ri që fituesit e zgjedhjeve në Kosovë nuk duan ndryshim kufijsh

Në seancën e Komisionit të Jashtëm të Senatit amerikan, i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer foli për zhvillimet e fundit në Kosovë pas zgjedhjeve të parakohshme si dhe bisedimet me Serbinë. Palmer ripërsëriti thirrjen që Kosova të heqë taksat e vendosura ndaj produkteve serbe dhe boshnjake dhe kërkoi nga Serbia që të heqë dorë nga fushata për të delegjitimuar Kosovën.

“Në presim që qeveria e re e Kosovës të demonstrojë angazhimin për objektivat e përbashkëta duke hequr tarifat ndaj mallrave serbe dhe boshnjake që kanë dëmtuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Nga ana tjetër, Serbia duhet të heqë dorë nga fushata për të delegjitimuar Kosovën në komunitetin ndërkombëtar”, u shpreh Palmer.

Zyrtari amerikan shtoi më tej se SHBA-të e njohin realitetin e ri në Kosovë, ku partitë fituese të zgjedhjeve nuk duan të flasin për ndryshimin e kufijve. Sipas tij, zgjedhjet e 6 tetorit ishin të rëndësishme për Kosovën pasi për herë të parë qeveria nuk do të drejtohet nga ish luftëtarë të UÇK.

“E shoh si impuls nga ana e popullit të Kosovës për ndryshim. Dhe është e kuptueshme. Ka një shkallë të lartë zhgënjimi nga ana e popullit të Kosovës me gjendjen se ku ndodhen, si izolimi ndërkombëtar, stanjacioni ekonomik dhe dështimi i qeverive të Kosovës për të mbajtur angazhimet dhe premtimet për të luftuar korrupsionin dhe krimin”, tha Palmer.

Shkarkoni aplikacionin e A2