Mediu në Berlin: Kushtet e Bundestagut, udhërrëfyes për të ardhmen dhe zgjidhjen e ngërçit politik – A2

Mediu në Berlin: Kushtet e Bundestagut, udhërrëfyes për të ardhmen dhe zgjidhjen e ngërçit politik

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu zhvilloi një vizitë në Berlin, ku pati takime me deputetë të Bundenstagut, me Raporterin për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm, Christian Schmidt, Katja Leikert, zv/kryetare e Grupit parlamentar CDU/CDU dhe Peter Beyer LL.M, Koordinator për Marrëdhëniet Transatlantike.

“I falenderova në emër të opozitës për mbështetjen e sinqertë që Bundestagu i dha Shqipërisë për hapjen e negociatave për në BE, të shoqëruar me 9 kushte që reflektojnë qartë se Gjermania do një Shqipëri demokratike dhe evropiane, me një shtet kushtetues, luftë kundër krimit dhe korrupsionit, gjyqësor, funksional dhe të pavarur. Për opozitën, kushtet e Gjermanisë janë udhërrëfyesi për të ardhmen, për dialogun dhe zgjidhjen e ngërçit politik, zgjedhje të lira dhe të ndershme”, bëri me dije kreu i Partisë Republikane.

Mediu shtoi: “Opozita ka filluar punën mbi këto kushte duke ndërtuar një grup që po punon për Reformën Zgjedhore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Sipas Mediut, deputetët e Bundenstagut garantuan mbështetjen për Shqipërinë si dhe këmbëngulën për përmbushjen me seriozitet nga qeveria dhe politika të kushteve të vendosura si interes i Shqipërisë dhe shqiptarëve.