Testi në SHBA, krijohet drageri që mat nivelin e drogës në gjak

Tashmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, policia mund të të ndalojë edhe për të kontrolluar frymëmarrjen, jo për konsumim të alkoolit gjatë drejtimit të automjetit, por për konsumim të lëndëve narkotike, në një kohë që legalizimi i marijuanës po përhapet në mbarë vendin.

Thuajse 10 shtete amerikanë lejojnë konsumimin e marijuanës rekreative dhe 33 shtete të tjera lejojnë konsumimin e saj për përdorim mjekësor. Por në të gjitha shtetet, ndalohet drejtimi i makinës nën efektin e marijuanës. Në Okland të Kalifornisë, një firmë po zhvillon në laborator një lloj të ri drageri, që mat nëse drejtuesi i makinës është apo jo nën efektin e ndonjë lënde narkotike dhe pritet që të hidhet në treg në vitin 2020.

Drejtuesi i “Hound Labs”, Mike Lynn thotë se kompanitë e ndërtimit mund të bëhen pjesë e rëndësishme e këtij tregu. “Unë nisa ta studioj këtë pajisje 6 vite më parë pasi ishte bërë e qartë në atë kohë që marijuana do të legalizohej shumë shpejt. Kjo na ndërgjegjësoi që duhet të krijojmë një lloj balance mes konsumit, qoftë edhe për arsye shëndetësore dhe sigurisë publike. Dhe kur flasim për siguri publike, kemi të gjithë një të përbashkët, të njëjtën ndjenjë përgjegjësie. Askush nuk dëshiron që një punonjës, në katin e 50 të konsumojë kanabis apo që një mjek, në shërbimin e urgjencës, të ketë konsumuar drogë teksa kujdeset për një pacient. Tashmë marijuana është legale në Kaliforni dhe në shumë shtete të tjera dhe përdoruesit duhet të dinë ta konsumojnë në mënyrë të sigurt. Punonjësit mund të pushohen nga puna të nesërmen, nëse i bën testin dhe rezulton që një natë më parë ka konsumuar drogë, sepse ajo mbetet në gjak, pavarësisht se në punë ai mund të jetë produktiv dhe aktiv. Edhe nëse ke konsumuar drogë një natë më parë, edhe nëse ke konsumuar 2 javë më parë, ajo është aty dhe vetëm përmes frymës mund të zbulohet. Nëse ke konsumuar drogë mbrëmë dhe 2 javë më parë, fryma është ndryshe. Kjo matet përmes THC, që mbetet në frymën e çdo përdoruesi droge”, tha Mike Lynn, drejtues i “Hound Labs”

Lynn, fizikant në profesion, thotë se testet e shtatzanisë e kanë frymëzuar atë që të ndërmarrë këtë nismë të re, me sfidën e matjes së sasive të vogla të THC, disa përbërës psiko-aktivë të barërave të këqij, të cilat shfaqen menjëherë në frymën e përdoruesit.

Gjatë një aksioni për konsumimin e alkoolit të drejtuesve të mjeteve, Lynn dhe një tjetër shkencëtar, pjesë e projektit, shoqëruan oficerët e policisë, për të demonstruar se ky drager punon. Pajisja është studiuar edhe nga kërkuesit në Universitetin e Pitsburg, të cilët thonë se përdorin nano-teknologjinë, specifikisht tuba të lehtë karboni që punojnë si sensorë dhe që janë 100 mijë herë më të vegjël se fija e flokut. Ndërkohë edhe firma e publicitetit “Cannabix Technologies” në Vankuver po teston disa pajisje të tillë, por me çmime fillestare shumë herë më të larta.

Rav Mlait, drejtuesi i saj, thotë se analizuesi i frymëmarrjes do të kushtojë qindra dollarë, pa pasur një çmim reference dhe qëllimi për këtë kompani është që prindërit të kenë mundësi të kontrollojnë fëmijët, kryesisht adoleshentët, nëqe janë konsumues të drogave apo jo, kryesisht përpara se të drejtojnë automjetin.

Metodat ekzistuese për të matur THC, si testi I urisë apo gjakut, mund të përdoren kryesisht në zyra. Për ata që kanë dyshime me sjelljen e punonjësve, mjafton që të marrin frymë në këtë pajisje dhe zbulohen menjëherë. Por Justin Srekal nga grupi avokatëve të legalizimit të marijuanës thotë se kjo pajisje mund të jetë problematike sepse, ashtu si alkooli, kërkuesit dhe shkencëtarët ende nuk kanë gjetur lidhjen e saktë të konsumit të marijuanës dhe efektit që ajo jep, qoftë në përqëndrimin në punë, po ashtu edhe gjatë drejtimit të automjetit.

“Në dijeninë tim, ende asnjë kompani nuk ka arritur të provojë lidhjen e vërtetë mes elementëve metabolikë dhe sasisë apo llojit të drogës së konsumuar. Kjo vlen në çdo rast, për çdo punonjës apo shofer që konsumon lëndë narkotike. Kjo pajisje thjesht zbulon nëse ke konsumuar apo jo, por jo sasinë”, tha Justin Srekal nga organizata për reformën e ligjeve të marijuanës.

Sistemi gjyqësor në Shtetet e Bashkuara do të duhet të konsiderojë mirë mënyrën sesi do ta përdorë këtë lloj drageri.  “Informacioni nga drageri sigurisht që do të mund të sfidohet në gjykatë. Ne presim që kjo të ndodhë. Por teknologjia që ne përdorim, është shumë e njohur. Po përdorim të njëjtën teknologji që deri më sot përdorej me testin e urinës apo gjakut, thjesht tashmë do të aplikohet në frymëmarrje. Është një teknologji me perspektivë, thjesht kemi modifikuar gjithcka me shumë kujdes dhe ofrojmë një mënyrë ndryshe”, përfundoi Mike Lynn.

  • LAJMI I FUNDIT | Arta Vorpsi, anëtare e Gjykatës Kushtetuese, betohet para noteres
  • LAJMI I FUNDIT | Vorpsi, dy ditë më parë u urua nga deputetët në Kuvend për marrjen e detyrës
  • LAJMI I FUNDIT | Ditën e djeshme, Presidenti Meta dekretoi Xhaferllarin si anëtare të GJ.k.