Ka 12 dhoma, 21 tualete dhe një sallë ëmbëlsirash, supervila në Bel Air shitet për 94 mln $

Një vilë fantastike në Bel Air, Kaliforni, u shit për 94 milionë dollarë, pasi pronarët bënë një zbritje në çmim prej thuajse 60 milionë dollarësh. Edhe pse vila fantastike me pamje nga Oqeani Paqësor është një ndër më të bukurat në Kaliforni, ajo qëndronte prej dy vitesh e pashitur, pasi çmimi fillestar ishte 150 milionë dollarë.

Vila ka 12 dhoma, 21 tualate, 3 kuzhina, 5 bare, një kinema, një sallë për bwoling, një fushë tenisi, një pishinë, një pistë helikopterësh dhe një dhomë ëmbëlsirash të mbushur me karamele me vlerë 200 mijë dollarë. Shtëpia shitet bashkë me një garazh të mbushur me makina të vjetra, një koleksion madhështor me 12 makina, që kushton i vetëm 30 milionë dollarë. Mes tyre spikasin një makinë Mercedes Von Krieger i vitit 1936, që kushton 15 milionë dollarë, dhe një Pagani Huayra, që kushton 2 milionë dollarë.

Shtëpia ishte në pronësi të miliarderit Bruce Makowsky, i cili e ka mbushur shtëpinë edhe me vepra të ndryshme arti dhe objekte koleksioni të rralla.

Kjo është shtëpia e tretë më e shtrenjtë në Los Anxheles. Bashkëthemeluesi i WhatsApp, Jan Koum, shpenzoi 100 milionë dollarë në gusht për një vilë të ngjashme në Malibu, ndërsa Petra Ecclestone, vajza e ish-pronarit të Formula 1 Bernie, shpenzoi në korrik thuajse 120 milionë dollarë për shtëpinë e saj në Kaliforni.

Shkarkoni aplikacionin e A2