Kurti: Nuk rrezikohet bashkëpunimi me Ramën; Thaçi, kritika Brukselit

Mungesa e një takimi prej 14 muajsh me Kryeministrin Edi Rama, bëri që Albin Kurti të qëndronte mbrëmjen e së premtes për rreth 5 orë. Disa prej detajeve të takimit, i zbardhi vetë Kryeministri i ardhshëm i Kosovës.

“Jemi persona të ndryshëm, politikanë të ndryshëm, por duam të bashkëpunojmë në mënyrë që dallimet që kemi të mos rrezikojnë bashkëpunimin tonë, sepse fundja nuk jemi dy persona të veçantë, por dy funksione për të cilët shqiptarët presin bashkëpunim”, tha Kurti.

Sa i përket Mini Shengenit Ballkanik, Kurti u shpreh: “Unë pres që ta shikoj një tekst se çfarë nënkupton saktësisht. Më ngjan më shumë me ide sesa me projekt”,

A2 e pyeti Kurtin edhe për idenë e shkëmbimit territorial, dhe për dialogun Kosovë-Serbi. “Nuk është Kryeministri i Shqipërisë për shkëmbim territorial dhe gjithashtu ne angazhohemi për marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe dialogun e ardhshëm do ta udhëheq unë. Së pari kemi dialogun me Brukselin për dialogun me Serbinë, parashikoj që do të fillojë para zgjedhjeve në Serbi, që janë në pranverën e vitit të ardhshëm.

Për rimarrjen e dialogut sa me parë foli edhe Presidenti Kosovar Hashim Thaçi. “Jam i bindur që skena politike kosovare ka vullnet të përbashkët që sa më parë të jetë e mundur të vazhdojmë bisedimet me Serbinë, me shtytjen e fuqishme nga SHBA dhe BE për marrëveshje”, tha ai.

Sipas tij, pavarësisht se Kosova i ka përmbushur kërkesat e Brukselit, kosovaret ende nuk mund të lëvizin te lire. “Po paguajmë çmimin e rëndë të shtyrjes së vendimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Pra na është bërë një e padrejtë si ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, shtoi ai.

Deklaratat e krerëve të lartë të Kosovës u bënë gjatë Samitit të Paqes për Europën Juglindore, që po mbahet në Tiranë.

Shkarkoni aplikacionin e A2