Dy të arrestuar për aksidentin e mbrëmjes së kaluar në Durrës – A2

Dy të arrestuar për aksidentin e mbrëmjes së kaluar në Durrës

Policia e Durrësit raporton se ka vënë në pranga dy persona për aksidentin e rëndë që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në aksin Tiranë-Durrës, ku për pasojë mbeti i vdekur një person që udhëtonte me motor.

Sipas policisë, pas verifikimeve dhe hetimeve në vendngjarje u arrestuan në flagrancë shtetasit F.T. që drejtonte mjetin “Fiat Dukato” dhe shtetasi P.T. që drejtonte autobusin tip “Skania”. Dy drejtuesit e mjeteve akuzohen se pranë mbikalimit të Shkozetit kanë përplasur motorin tip “Dajang”, me drejtues shtetasin R. B., 25 vjeç, i cili ka ndërruar jetë.

Aksidenti i mbrëmjes së djeshme u shoqërua me paqartësi në fillim pasi persona nga vendngjarje deklaruan se viktima u hodh në rrugë nga një makinë, por në fakt policia sqaroi më pas se ngjarja ishte ndryshe, pasi viktima kishte mbetur nën makinë dhe ishte spostuar për qindra metra nga vendi ku ndodhi aksidenti.