Carl Bildt: Vendimi francez për negociatat, “veto” vlen edhe për Serbinë dhe Malin e Zi

Në një intervistë për Washington Post, e cituar nga agjencia Tanjug, ish-kryeministri suedez Carl Bildt, disa herë i dërguar special i BE-së dhe OKB-së në Ballkan, thotë se vendimi francez për refuzimin e çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë të Veriut jo vetëm është një ”katastrofë strategjike” e Bashkimit Europian ndaj këtyre vendeve, por edhe një “shuplakë” ndaj ambicieve të vendeve si Serbia dhe Mali i Zi, që e kanë kaluar këtë prag.

“Ndoshta nuk është e shkruar diku, por nënkuptohet që veto-ja franceze vlen edhe për Serbinë Malin e Zi dhe Bosnjen,  dhe do të ketë pasoja për çështjet ende të pazgjidhura në Ballkan”, deklaroi ai.

Bildt shtoi se “vendimi do të destabilizojë qëndrimin e Bashkimit Europian ndaj Ballkanit, që zgjaste prej dekadash”.  Sipas suedezit, Beogradi duhet të normalizojë marrëdhëniet me Prishtinën zyrtare, për të pasur mundësi efektive anëtarësimi në BE.

Sipas tij, Macron flet në mënyrë elokuente për një qasje globale për BE-në, duke vënë veten si prijës e kësaj qasje, por që është tejet e vështirë duke parë besueshmërinë aktuale të Bashkimit Europian.

Shkarkoni aplikacionin e A2