Njeriu më i pasur i Kinës sfidon Mayweather

Njeriu më i pasur i Kinës thotë se është gati të ndeshet në ring me Floyd Mayweather. Në një video të postuar të dielën në Twitter, legjenda filipinase e boksit, Manny Pacquiao dhe themeluesi i Alibaba,  Jack Ma, sfiduan kampionin e tërhequr tashmë.

“Nëse dëshiron një ndeshje të vërtetë, ndeshu me mua Floyd Mayweather. Nëse do një ndeshje sa për spektakël, miku im Jack Ma do të kujdeset për ty”, shkroi Pacquiao. “Unë jam gati, kudo dhe kurdo”, thotë Ma.

Themeluesi i gjigantit të shitjeve online dha dorëheqjen nga kompania muajin e kaluar duke thënë se dëshironte të ndiqte pasione të tjerë, si arsimi. Ai është gjithashtu i dhënë pas arteve marciale, madje edhe ka marrë pjesë si protagonist në një film të shkurtër të prodhuar nga Jet Li, në të cilin luan rolin e një mjeshtri të “tai chi”.

Por edhe pse duket në formë, përballja me Mayweather në ring do të ishte krejt tjetër gjë për Ma. Amerikani ka një rekord me 50 fitore nga 50 ndeshje të luajtura dhe pavarësisht se zyrtarisht është tërhequr, ka zhvilluar edhe më parë ndeshje të tjera. Vitin e kaluar fitoi 9 milionë dollarë për një ndeshje 2-minutëshe në Japoni. Pacquiao është ndeshur për herë të parë me Mayweather në vitin 2015, por edhe pse tani është senator në vendin e tij, kërkon një revansh.

Shkarkoni aplikacionin e A2