Bulqizë, rriten përmasat e zjarrit. Vatra arrin deri në Balgjaj

Zjarri i rënë dy ditë më parë në masivet pyjore me dushqe dhe Ah në fshatin Koçaj të Njësisë Addministrative të Fushë – Bulqizës ka avancuar më shumë, duke u bërë i pamundur fikja e tij.

Ndonëse prej dy ditësh në terren janë me dhjetra punonjës të Shërbimit Zjarrfikës, të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pyjeve, të Njësisë Administrative dhe Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit, neutralizimi i flakëve ka qenë i pamundur.

Zjarri i përhapur në një sipërfaqe të madhe është ndihmuar edhe nga era e fortë duke bërë që ai të futet në mësivin Pyjor të Balgjajt, duke djegur një sasi të konsiderueshme pisha të zeza.

Drejtues të Pyjeve në Bulqizë dhe Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit, kanë kërkuar këtë të Martë ndërhyrje nga ajri pasi vetë ata e kanë të pamundur shuarjen e zjarrit. Po ashtu, sipas tyre, është kërkuar ndihmë edhe nga Ministria e Mbrojtjes për dërgimin në terren të forcave të ushtrisë.

Shkarkoni aplikacionin e A2