KLP miraton listën me kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të intervistojë më 13 nëntor 3 kandidatët e mbetur në garë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Për kreun e akuzës, KLP do të duhet të zgjedhë mes Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku dhe Fatjona Memçajt, prokurore në Prokurorinë e Apelit në Tiranë e Olsian Çelajt, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Të martën, KLP miratoi në mbledhjen e radhës listën me emrat e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të cilët plotësojnë kushtet ligjore pas vlerësimit paraprak. Mbledhja është mbajtur në praninë e 9 anëtarëve dhe në mungesë të anëtarëve Besnik Cani dhe Nurihan Seiti.

Puna për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm kishte ngecur për shkak të padisë së kandidatit Lulzim Alushaj ndaj KLP, pasi kjo e fundit e kishte përjashtuar nga gara. Por të premten e kaluar, Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi padinë e avokatit Alushaj për skualifikim të padrejtë nga gara.

Në datën 15 nëntor, Kuvendi do të ketë listën me pikëzimin e tre kandidatëve. Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm me 85 vota, atëherë automatikisht i pari në listë emërohet Prokuror i Përgjithshëm.

  • LAJMI I FUNDIT | A2 sjell histori të reja nga shqiptarët e bllokuar në Siri
  • LAJMI I FUNDIT | A2 vjen me dëshmitë e familjarëve të grave dhe fëmijëve në Al Hawl
  • LAJMI I FUNDIT | A2 udhëtoi në shtëpinë e Osamës, vogëlushit që ndodhet në Al Hawl
  • LAJMI I FUNDIT | Pas reportazhit të A2, Osamën e njohu xhaxhai i tij që jeton në Gostivar