Përplasja për Kopshtin Botanik , 15 hektarë për Bashkinë apo Universitetin?

Përplasja Bashki-Universitet për pronësinë e Kopshtit Botanik nisi në verë. Shkak u bë një vendim i qeverisë më 17 korrik të 2019-s, që këtë hapësirë prej 15 hektarësh ia kaloi në pronësi Bashkisë së Tiranës, me arsyetimin për t’i përdorur për funksionet e veta, por edhe për të garantuar aktivitetin mësimor dhe kërkimit shkencor në Kopshtin Botanik.

Ky vendim u shoqërua nga kundërshti të forta dhe protesta të Universitetit të Tiranës. Rektori Mynyr Koni në qëndrimet e tij e ka cilësuar shkelje të autonomisë dhe ligjit të arsimit të lartë.

Transferimi i Kopshtit Botanik në duart e bashkisë ngriti dyshime dhe akuza se kryetari Veliaj dhe kryeministri Rama po planifikonin ndërtime në këtë zonë të Tiranës. “Grabit 15 hektarë të Kopshtit Botanik me synimin për të pastruar aty në fushën e ndërtimit me miliona euro para të pista”, deklaroi ish deputeti demokrat, Luçiano Boçi.

Por Erion Veliaj pronësinë e re e komentoi si mundësi më të mirë për studentët dhe heqjen e korrupsionit të rektorit Koni. Ndërsa nënkryetari Mazniku theksoi se në hapësirën e Kopshtit Botanik nuk do të ketë ndërtime. “Që Mynyri të marrë 5 mijë lekëshat e nuseve dhe tenderin e 5 rojeve aty, për të cilën tashmë u pezullua nga ai tender rojesh. Tani e gjithë shkenca shqiptare këtu ka reduktuar?”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj. 


Përplasja për pronësinë e Kopshtit Botanik ka mbërritur në dyert e drejtësisë. Tashmë do të jetë gjykata ajo që do të thotë fjalën e fundit, nëse ai do t’i mbetet universitetit apo do të ndërrojë pronar nën administrimin e Bashkisë së Tiranës.

Shkarkoni aplikacionin e A2