Të ardhurat në buxhet, mungojnë 7,4 miliardë lekë nga Tatimet e Doganat

Në kulmin e aksionit kundër informalitetit, qeveria dështoi të realizonte planin e të ardhurave në buxhet.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, për muajin shtator, Tatimet dhe Doganat mblodhën 5,8% më pak të ardhura se plani. Kjo e çon boshllëkun për 9-mujorin në 7,4 miliardë lekë, shifër e pamundur për t’u kompensuar në 3 muajt e mbetur.

Ajo çfarë shihet si më shqetësuese është rënia dramatike e TVSH-së së mbledhur nga Tatimet, që njihet si TVSH e brendshme dhe tregon konsumin në ekonomi. Për muajin shtator, të ardhurat nga ky zë janë vetëm 1.8 miliardë lekë, apo 45% më pak se plani.

Nga ana tjetër, arkëtimet nga Doganat janë edhe më larg planit. Të ardhurat nga akciza, TVSH-ja e importit dhe taksat doganore janë të gjitha në rënie. Për muajin shtator nga ky institucion mungojnë 1,3 miliardë lekë, ndërkohë që për 9-mujorin dëmi arrin në rreth 5 miliardë lekë.

Treguesit e buxhetit ndërkohë nuk marrin parasysh detyrimet e prapambetura që qeveria mund të ketë krijuar gjatë kësaj periudhe. Një vlerë borxhi që Kontrolli i Lartë i Shtetit e llogarit në mbi 60 miliardë lekë.

Për të kompensuar të ardhurat e dobëta në buxhet, qeveria vazhdon të kursejë tek investimet publike, që për 9 muaj janë realizuar vetëm në masën 46% të planit vjetor. Por, gjatë shtatorit, qeveria ka ndërhyrë edhe në reduktimin e shpenzimeve të tjera, si pagat e administratës, subvencionet, ndihma ekonomike, pagesa e papunësisë etj.

Në këto kushte, ekspertët i druhen efektit negativ që do të reflektojë në ekonomi mungesa e këtyre investimeve apo politikave sociale.

Shkarkoni aplikacionin e A2