Detyrimet e prapambetura, Ministria e Financave: Nuk cenojnë ecurinë e Buxhetit të Shtetit dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka reaguar për “lajmet që kanë qarkulluar në media për sa i përket detyrimeve të prapambetura të kontributeve shoqërore nga subjekte juridike dhe institucione buxhetore dhe jobuxhetore”, duke thënë “se këto detyrime nuk kanë nisur sot por ato datojnë shumë më herët”.

FMN dhe Banka Botërore i bënë apel qeverisë që të shlyejë sa më parë detyrimet e prapambetura, që janë shndërruar në një shqetësim jo të vogël për financat publike. Gjatë prezantimit të strategjisë së rishikuar të Menaxhimit të Financave Publike 2019-2020, përfaqësuesit e dy institucioneve financiare ndërkombëtare e kanë cilësuar krijimin e borxheve një gangrenë, që nuk po gjen zgjidhje që prej vitit 2014.  

“Gjithsesi, Ministria e Financave dhe Ekonomisë është angazhuar në terma konkretë, duke realizuar një ndryshim në Udhëzimin e Zbatimit të Buxhetit 2019, përmes së cilit specifikohet se pagesat e sigurimeve shoqërore të institucioneve buxhetore do të kryhen njëkohesisht me pagesën e borderosë, dhe jo pas 20 ditëve si në parashikimin e mëparshëm. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, po në bazë të këtij Udhëzimi, siguron zbatimin me rigorozitet të këtij rregulli të ri që prej muajit Tetor 2019. Në mënyrë paralele, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore po ndjekin intensivisht rakordimin dhe shlyerjen hap pas hapi të këtyre detyrimeve të maturuara”, lexohet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

“Në vijim, Drejtoria e Tatimeve në bashkëpunim edhe me Inspektoriatin e Punës janë angazhuar në kuadër të planit operacional stop-informalitetit për monitorin e deklarimeve të punonjësve dhe të pagave nga subjektetet private. Ky borxh në vetvete është një proces dinamik i cili ndikohet edhe nga cikli i rritjes dhe zhvillimit ekonomik të një vendi. Ministria e Financave dhe Ekonomisë siguron qytetarët shqiptarë se ka ndërmarr të gjithë masat e nevojshme, brenda hapësirave që lejon ligji, që të bëjë të mundur amortizimin deri në eleminim të të gjitha detyrimeve të prapambetura. Çështje të kësaj natyre nuk cenojnë në asnjë formë ecurinë e buxhetit të shtetit dhe qëndrueshmërinë e indikatorëve bazë të ekonomisë”, shton njoftimi.

Shkarkoni aplikacionin e A2