Ambasadori francez: S’ka plan alternativ për Ballkanin, por modernizim procesi

Franca nuk synon të vendosë veton apo të krijojë një lloj partneriteti të privilegjuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, por mbështet anëtarësimin e plotë të tyre në Bashkimin Europian.

Deklarata vjen nga ambasadori i Francës në Serbi, Jean Louis Falconi, i cili përpiqet të shuajë zërat se Emannuel Macron do të propozojë një alternativë tjetër ndaj integrimit të plotë: “Nuk ka asnjë “veto” dhe asnjë “partneritet të privilegjuar” alternativ! Ka të bëjë me përmirësimin e procesit të zgjerimit: Franca është e angazhuar për anëtarësimin e plotë të Ballkanit Perëndimor dhe Serbisë në BE”.

Në një intervistë dy ditë me herët, Falconi shpjegon se ajo që Franca i kishte propozuar Këshillit Europian ishte ideja e modernizimit të procesit të pranimit, duke u mundësuar vendeve kandidate të cilat kanë përmbushur kushtet në fushë të caktuara, të shfrytëzojnë benefitet e tyre, në vend të që të presin për përfundimin e të gjithë procesit.

Ai shpjegon se në këtë mënyrë, procesi i ngadalshëm aktual i pranimit në BE, do të bëhej më i shpejtë, progresiv, por gjithashtu i kthyeshëm:“Ideja është se, kur një vend përfundon me negociatat në fusha të caktuara, do të mund të ulet në të njëjtën tryezë me shtetet anëtare e të marrë pjesë në politikëbërje, por pa të drejtën e votës”.

Falconi kujton se Macron kishte qenë i qartë gjatë vizitës së tij në Serbi në muajin korrik, kur kishte konfirmuar premtimin se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian do të realizohej. 

Shkarkoni aplikacionin e A2