Fjalori i gjuhës shqipe, libri që është harruar të blihet. Studiuesit thirrje Ramës

700 mijë euro kërkojnë gjuhëtarët për hartimin e fjalorit të ri të shqipes. Për më shumë se një dekadë leksikografët kanë mbledhur 150 mijë fjalë, ku veç përgatitjes së lartë për botimin e ri, iu duhet dhe mbështetje financiare.

Për gjuhëtarin Xhevat Lloshi, fjalori i ri mund të bëhet vetëm me mbështetje qeveritare. Albanologu i njohur propozon ngritjen e Institutit të Fjalorit të Gjuhës Shqipe ashtu si në të gjitha vendet e botës.

“Po të ketë, në radhë të parë, një bindje shkencore dhe njëkohësisht atdhetare dhe një dashuri për këtë punë edhe financimet do të gjenden. Vetëm një organizim shtetërore me financim jo për një javë, por për një periudhë të gjatë mund ta jepte. Instituti i Fjalorit të Gjuhës Shqipe duhet të ndërtohet siç është në të gjitha vendet rreth e rrotull nesh”, u shpreh gjuhëtari Lloshi.

Një jetë të tërë ia kanë kushtuar shqipes dhe studimit mbi të, ndaj gjuhëtari Emil Lafe i propozon kryeministrit Edi Rama nisma konkrete për mbrojtjen e gjuhës amëtare.

“Të ndërtojnë një komision ndërshtetëror për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Emrin mund t’ia gjejmë. Kemi gjëra që i kemi të ndryshme në Kosovë dhe në Shqipëri në aspektin gjuhësor. Do t’iu lemë shumë problem brezave të ardhshëm, në qoftë se do të vazhdojmë kështu”, tha Lafe.

Në vitin 1954 është botimi i parë i fjalorit të shqipes, i dyti në 1980 dhe i fundit deri më sot, është botimi i 2006-s. Në libraritë e kryeqytetit e gjejmë vetëm përmes orientimit. Hapësira që zë fjalori i shqipes është shumë e vogël, ndryshe nga ata të gjuhëve të huaja. Kushton 25oo lekë afërsisht sa dhe fjalorët e tjerë, por blerja e fundit nuk mbahet mend.

“Nuk është shumë i kërkuar nga njerëzit, fjalori i gjuhës shqipe. Por janë shumë të shitur fjalorët e gjuhëve të huaja. Nuk e mbaj mend se kur e kam shitur për herë të fundit një fjalor të gjuhës shqipe”, u shpreh një librashitëse.

Akademia e Studimeve Albanologjike është e pamundur financiarisht për mbuluar botimin e fjalorit. Buxheti vjetor i këtij institucioni nuk i kalon 20 milionë lekë. Ndërkohë, vetëm për një trajnim 45 ditor të mësuesve në muajin tetor, në një nga drejtoritë arsimore të vendit, Ministria e Arsimit ka paguar mbi 6.4 milionë lekë. Por a ka forma të tjera për të siguruar financimin e fjalorit të ri të shqipes?

“Ministria si fillim të mos harxhonte kaq shumë për luksin e vet. Vetëm rikonstruksioni kushton 2.3 milionë euro. Pra do të mjaftonte ¼ e kësaj shifre”, u shpreh Ndriçim Mehmeti, ish-drejtues në Ministrinë e Arsimit.

Nga mbledhjet modeste, larg mediave dhe politikës, aty ku shqipja peshon shumë, lëshohen mesazhe për gjuhën që duhet t`iu lemë brezave që vijnë. 

  • LAJMI I FUNDIT | A2 sjell histori të reja nga shqiptarët e bllokuar në Siri
  • LAJMI I FUNDIT | A2 vjen me dëshmitë e familjarëve të grave dhe fëmijëve në Al Hawl
  • LAJMI I FUNDIT | A2 udhëtoi në shtëpinë e Osamës, vogëlushit që ndodhet në Al Hawl
  • LAJMI I FUNDIT | Pas reportazhit të A2, Osamën e njohu xhaxhai i tij që jeton në Gostivar