Derbi Lindje – Perëndim, historia e një ndeshjeje që bashkoi qytetin e ndarë

Për një qytet me 3,75 milionë banorë dhe me një rëndësi tepër të madhe historike, Berlini gjithmonë ka qenë një “lojtar i vogël” kur vinte puna te futbolli. Stadiumi më i madh i qytetit “Olympiastadion” ka pritur një finale Botërori, Lojëra Olimpike dhe një finale të Champions League, ndërsa kryeqyteti ka pasur më shumë klube që kanë luajtur në kategorinë e parë se sa çdo qytet tjetër gjerman.

Klubi më i famshëm i qytetit, Hertha, e ka fituar titullin kampion për herë të fundit në vitin 1931. Ndërsa skuadra të tjera, si BFC Dynamo, Tennis Borussia dhe Viktoria 1889, të gjitha kanë lënë pas kohët e suksesshme dhe tani mbijetojnë në ligat e ulëta. Por klubi me historinë më të ndërlikuar është Union Berlin, që luan këtë të shtunë derbin me Hertha-n, i pari në kategorinë e parë gjermane.

26 kilometra ndajnë stadiumin gati 75 mijë vendësh të Hertha-s në perëndim, me “Stadion An der Alten Forsterei”, një impiant 22 mijë vendësh në lindje të qytetit. Por gjatë Luftës së Ftohtë, kur Gjermania Lindore komuniste ishte e ndarë nga Gjermania Perëndimore, largësia ishte shumë më e madhe. “Perdja e Hekurt” qëndroi mes tyre nga viti 1961 deri në vitin 1989. Ndërsa perëndimorët lejoheshin të kalonin në Lindje duke ndjekur rregulla strikte, lindorët nuk mund të shkelnin në Perëndim pa marrë më parë leje tek autoritetet.

Ajo që nisi si një ndasi politike shumë shpejt u shndërrua në ndasi ekonomike dhe shoqërore. Por, siç ndodh shpesh, futbolli shërbeu si një forcë bashkuese. Qytetarët e Berlinit perëndimor do të kalonin pikat kufitare për të ndjekur ndeshjet e Unionit, ndërsa turma në stadium shpesh anashkalonte ndeshjen dhe “shënjestronte” Stasi-n, sigurimin e shtetit në atë që zyrtarisht quhej Republika Demokratike Gjermane. Dhe sa herë që Hertha luante ndeshje në kompeticionet europiane me skuadra nga Europa Lindore, kishte edhe shumë tifozë të Unionit që e ndiqnin skuadrën.

“Kur kishte goditje dënimi, tifozët dëgjoheshin të bërtisnin “muri duhet të ikë”. Ishte i vetmi çast kur dikush mund ta thoshte këtë gjë në Gjermaninë Lindore”, thotë gazetari Jacob Sweetman. “Berlini është një qytet rebelësh, tifozët mbanin flokë të gjatë dhe mjekër për t’u ndjerë të lirë”.

Kur më në fund muri u shemb në nëntor 1989 dhe kufizimi i lëvizjeve u hoq, tifozët e Unionit kalonin në Perëndim për të ndjekur ndeshjet e Hertha-s. E paharrueshme mbetet ndeshja e Hertha-s kundër Ëattenscheid, në kategorinë e dytë, vetëm dy ditë pasi Muri i Berlinit kishte rënë. 44 mijë vetë ndoqën një ndeshje që normalisht mezi do të kishte sjellë në stadium 10 mijë.

Edhe më simbolike do të mbetej 27 janari i vitit 1990, rreth 80 ditë pas shembjes së murit, kur Hertha dhe Union zhvilluan një miqësore në “Olympiastadion”. Ishte ndeshja e parë mes tyre pas 28 vitesh. 51270 persona u mblodhën në stadium, secili duke paguar pesë marka gjermane, perëndimore ose lindore, për të marrë pjesë në një festë të madhe që bashkoi qytetin.

Por duhet të vinte viti 2019 në mënyrë që të dy skuadrat të ndesheshin në Bundesliga. Ndërsa Hertha gëzoi një periudhë të mirë në vitet 1990, duke luajtur edhe në Champions League, Union Berlin hasi vështirësi të shumta financiare dhe u end në nivelet e ulëta të futbollit gjerman.

Në vitin 2009, dy skuadrat luajnë një miqësore për të shënuar rihapjen e stadiumit “Alte Forsterei”, i cili ishte rindërtuar nga 2000 tifozë të skuadrës me punë vullnetare. Dashuria për skuadrën e zemrës ishte aq e madhe sa në vitet kur skuadra kishte vështirësi, tifozët dhuronin gjak dhe paratë e mbledhura ia dhuronin klubit.

Përballjet e para zyrtare ndodhën në sezonin 2010-2011 në kategorinë e dytë, ndërsa ndeshja e të shtunës është e para në kategorinë e parë. Një histori miqësie dhe rivaliteti që konfirmon edhe një herë atë që mund të bëjë një top i vogël i rrumbullakët, i hedhur në fushën e blertë mes 22 burrave që vrapojnë pas tij.

Shkarkoni aplikacionin e A2