Një javë për një fjali… Negociatat, nga shpresat te refuzimi

Tirana e priti me shpresë tetorin europian. Pas dy refuzimeve, mbështetja e Gjermanisë, edhe pse me 9 kushte te forta, shtoi dozën e optimizmit se Këshilli Europian do të hapte negociatat për Shqipërinë. Por sinjale të para se rruga nuk do ishte e lehtë erdhën në takimin e ambasadoreve te BE në Luksemburg, një ditë para se aty të mblidheshin ministrat e Jashtëm. Në tryezën e diplomatëve, Franca përforcoi planet e saj për veton duke e bërë të qartë se nuk do të jepte pëlqimin për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nën hijen e vetos, ministrat e jashtëm të BE, u mblodhën për një vendim, ende pa zbardhur mirë dita e 15 tetorit në Luksemburg.

Finlanda, vendi i cili mban presidencën e radhës së BE, u përpoq të përcjellë mesazhe shprese. “Kemi presidencën dhe mbështesim hapjen e negociatave, por duhet të shohim se çfarë vendosin vendet anëtare”, tha Tytti Tuppurainen, ministrja finlandeze e Çështjeve Europiane.

Edhe Gjermania vijoi presionin pozitiv përhapjen e negociatave. “Qëndrimi i Gjermanisë është i qartë si kristali. Ne mbështesim hapjen e negociatave bazuar në votën e Bundestagut. BE duhet të marrë përgjegjësi për paqe e stabilitet në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe duhet të mbajmë premtimet”, tha Michael Roth, ministër Shteti për Europën.

Por teksa kishte fituar mbështetjen e Berlinit, Shqipëria nuk kishte mundur skepticizmin e Holandës. “Mendojmë se çdo vend duhet gjykuar bazuar në merita. Shqipëria duhet të tregojë më shumë progres. Maqedonia e Veriut duhet të miratojë ligjin për Prokurorinë e pavarur”, tha Stef Blok, ministër i Jashtëm i Holandës.

Më i ashpër, qëndrimi i Francës. “Së pari duhet të diskutojmë procesin, a e konsiderojmë efiçent. Nga ana jonë përgjigja është “jo”. Ne kemi shumë vende që e mbështesin këtë qasje: negocimet kërkojnë riorganizim. Duhet të sigurohemi që reformat që janë kërkuar të jenë reale, të jenë zbatuar”, tha Amelie de Montchalin, ministre për Çështjet Europiane.

Skenari i ndarjes

Pas rreth 4 orë diskutime me dyer të mbyllura, presidenca finlandeze kishte propozuar një skenar që ndante Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut. Drafti lejonte që së paku Maqedonia e Veriut të marrte një vendim pozitiv. Ndërsa Shqipërisë do t’i kërkohej të përmbushte kushtet e nevojshme para se të fillojë procesi. Një skenar që ishte përballur me rezistencën e vendeve anëtarë në mbështetje te zgjerimit. Italia ishte mes zërave që rrëzoi rrëzuan një mundësi të tillë. “Nuk ka mundësi për t’i ndarë. Të dyja vendet kanë të drejtë për hapjen e negociata. Konkluzionet nuk do jenë unifikuese. Ne e kemi thënë qëndrimin tonë se Tiranës i duhen hapur negociatat”, tha Vincenzo Amendola, ministër për Çështjet Europiane.

Gazetarja e A2, Klementina Cenkollari, ndoqi Samitin 17-18 tetorit, vendimtar për Shqipërinë.

Mes debateve të forta, Këshilli i Ministrave nuk ia doli të dilte me një konkluzion. Mbledhja e ministrave te Jashtëm të Bashkimit Europian mbajti pezull vendimin për Shqipërinë. Nuk pati një përgjigje negative të mbështetur fort nga Franca, por as një zhvillim pozitiv me kushte, sipas shumicës së vendeve anëtare. Të paktën sa për statistikë mund të regjistrohet ndjesa e Komisionerit për Zgjerim Johannes Hann, i cili i kërkoi falje qytetarëve të Tiranës dhe Shkupit për mungesën e një vendimmarrjeje.

“I kërkoj falje qytetarëve të dy vendeve që nuk arritëm të binim dakord. Procesi është i bazuar në merita dhe këto dy vende i kanë plotësuar kërkesat. Çfarë na duhet është një sinjal politik për të dhënë dritën jeshile për nisjen e përgatitjeve për hapjen e negociatave”, do të shprehej Hahn.

Shanset ishin zbehur, por Austria ftoi shqiptarët të mos hiqnin dorë. “Patëm diskutime të gjata dhe të vështira. Vendosëm që kjo të diskutohet në nivel krerësh të shteteve dhe kryeministrave dhe çështja do të rimerret në mbledhjen e Këshillit Europian. Mos i humbni shpresat”.

Negociatat politike për fatin e Shqipërisë do të transferoheshin në një nivel më të lartë, atë të krerëve të shteteve dhe kryeministrave, në Bruksel. Ishte i hapi i radhës i një udhëtimi të nisur shumë vite më parë.

  • 2003 – Në samitin me vendet e Ballkanit Perëndimor Bashkimi Europian u dha atyre mundësi të bëhen pjesë e Unionit në rast se plotësojnë kushtet.
  • 2006 – Shqipëria firmosi marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit e cila hyri në fuqi 3 vjet me vonë.
  • 2010 – Shqipëria mori  lajmin e shumëpritur se qytetarët e saj  mund të lëviznin të lirë drejt zonës Shengen.
  • 2012 – Komisioni Europian rekomandoi dhënien e statusit kandidat të vendit tonë, me kusht miratimin e Reformës në Administratën publike, gjyqësor dhe rishikimin e rregullores së Kuvendit. Këshilli Europian miratoi dhënien e statusit dy vite më vonë.
  • 2018 – Me miratimin e Reformës në Drejtësi dhe me zbatimin e vetting-ut, në prill, nën drejtimin e eurokomisionerit Johannes Hahn, Komisioni Europian re komandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë.
  • 2019 – Një rekomandim i dytë do vinte në maj, por vendet anëtare me fuqi vetoje në vendimmarrjen e Këshillit Europian nuk u bindën. Në takimin e qershorit të vitit 2019, Këshilli Europian vendosi të marrë një vendim përhapjen ose jo të negociatave për Shqipërinë, brenda tetorit të vitit 2019.

Ndërkohë, në Bruksel kishte mbërritur Kryeministri Edi Rama. Ishte koha për bisedat e fundit me Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk dhe Komisionerin për Zgjerim Johannes Hahn. “Ka një bllok të madh për “Po”, i cili kërkon vazhdimin e procesit. Pastaj ka dhe një barrikadë nga ana e Francës për të ndryshuar natyrën e procesit. Tani kanë hyrë në lojë të gjithë të mëdhenjtë. Kancelarja e udhëheq frontin e “Po”-së”, do të shprehej ai.

Loja e të mëdhenjve po luhej në Francë

Samiti i Këshillit Europian u parapri nga një takim i Presidenti i Francës Emanuel Macron me Kancelaren gjermane Angela Merkel në Tuluzë të Francës. Presidenti francez u duk se shuajti shpresat për hapjen e negociatave për Shqipërinë kur kujtoi se Franca kishte mbështetur lëvizjen e lirë për vendin tonë por në këmbim ishte përballur me një fluks te azilkërkuesve nga Shqipëria. “Mendoj se kemi ende gjëra të tjera për të finalizuar, më pastë hapim negociatat. Kemi lëvizjen e lirë me Shqipërinë pa hapur negociatat dhe kjo është një lloj marrëdhënie e çuditshme. Në mirëbesim kemi dhënë lëvizjen e lirë dhe kemi mijëra e mijëra persona që kërkojnë azil nga ky vend”, tha Macron.

Lojtarët e mëdhenj nuk ishin dakord për zgjerimin. Kjo ishte karta që përdori në mbrojte të Qeverisë së tij Edi Rama. “Kjo situatë nuk ka lidhje me Shqipërinë apo me Maqedoninë e Veriut me atë që kemi bërë apo çfarë nuk kemi bërë, por ka lidhje me çfarë duan dhe çfarë nuk duan vendet anëtare. Unë mbetem realist. Nuk jam as optimist as pesimist. Në datën 19, dielli do të lindë përsëri dhe ne do të vazhdojmë përpjekjen. Ne nuk e bëjmë këtë për shtetet e BE, por për veten tonë.  Por agjenda zyrtare nuk përcaktoi vëmendje të lartë për zgjerimin”, tha Kryeministri.

Liderët europianë debatuan për këtë çështje gjatë darkës informale. Debatet e forta zgjatën deri në orën 2 të mëngjesit, por krerët e shteteve nuk të dakordësoheshin as lidhur me një marrëveshje që do të inkurajonte Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Në dokumentin e konkluzioneve të Këshillit Europian, që refuzoi hapjen e negociatave, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut iu lanë vetëm dy rreshta ku premtohej se liderët e Këshillit Europian do t’i riktheheshin çështjes së zgjerimit përpara samitit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që mbahet në maj të vitit 2020 në Zagreb. Dy presidentët, ai i Këshillit Europian, Donald Tusk, dhe ai i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, nuk e fshehën zhgënjimin duke e emërtuar atë çfarë ndodhi si një gabim historik.

“Pata thënë në fillim të mandatit tim se nuk do të kishte zgjerim gjatë këtij mandati. Por çështja këtë herë nuk ishte kjo, çështja ishte nëse ato ishin apo jo kandidatë në nivelin e duhur për të na lejuar që të nisnim bisedimet. Unë mendoj që ishte një gabim historik”, do të thoshte Juncker. “Për mendimin tim ishte gabim. Mesazhi im për shqiptarët dhe maqedonasit është: Ju lutem mos u dorëzoni. Nuk kam asnjë dyshim që një ditë do të bëheni pjesëtarë të BE”, do të shprehej Tusk.

Edhe Emanuel Macron e lidhi fillimisht refuzimin e tij me dinamikat europiane. “Janë bërë përparime, por ende nuk është bërë e gjithë puna e kërkuar. Ne si BE duhet të qartësojmë vizionin tonë për zgjerimin e Bashkimit Europian. Para se të vendosim për zgjerim, duhet të reformojmë veten. Nuk jemi gati për këtë ritëm zgjerimi”, u shpreh ai.

Kryeministri holandez Mark Rutte mbështeti një kompromis të mundshëm që do të lejonte nisjen e negociatave vetëm me Maqedoninë e Veriut. “Ju e dini pozicionin tonë. Për Shqipërinë është një “JO” e qartë. Për Shqipërinë, Parlamenti im më ka dhënë një “JO” të qartë. Për Maqedoninë e Veriut, më pak eksplicite, por ato kanë shumë për të bërë”.

Kundër ndarjes ishte edhe Macron, ndonëse për arsye të tjera. Përballë presionit ndërkombëtar, Presidenti francez luajti edhe njëherë kartën e azilantëve. Por asgjë nuk e bindi. “Kemi një problem me azilantët shqiptarë dhe nuk kam si u shpjegoj qytetarëve të mi që po hapim negociatat me një vend ku kemi probleme me këtë çështje. Mbaj përgjegjësi të plotë për qëndrimin tim”.

Angela Merkel u vu përpara provës se fuqia e saj nuk ishte më në nivelet e dikurshme. Keqardhja ishte gjithçka i kishte mbetur në përpjekjen e saj me Macron. “Më vjen shumë keq për këtë vendim. Duhet të pranojmë që Maqedonia ka bërë shumë me çështjen e emrit. Edhe Shqipëria ka bërë shumë, merrni për shembull çështjen e vetting-ut. Por nuk arritëm të kishim vendim unanim për përparimet që kanë bërë. Kur sheh hartën, e kupton se sa e rëndësishme është që këto vende të bëhen pjesë e Bashkimit Europian”, do të thoshte Kancelarja.

Nuk ishte një “jo”, por nuk ishte as një “po”, përgjigja zyrtare që liderët e BE i dhanë Shqipërisë nga Brukseli. Por pa dyshim që Samiti dyditor la shijen e hidhur të refuzimit për Shqipërinë. Mbetet për t’u parë nëse dyert e mbyllura të BE do të shtojnë presionin ndaj qeverive të Tiranës dhe Shkupit për të bërë më shumë për t’i afruar të dy vendet me unionin.

Shkarkoni aplikacionin e A2