Raporti i DASH për terrorizmin: Kërcënimi në Shqipëri vjen nga luftëtarët e huaj

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për terrorizmin me arritjet dhe sfidat e SHBA dhe vendeve aleate gjatë vitit 2018.

Në seksionin për Shqipërinë thuhet se kërcënimi terrorist vjen nga luftëtarët e huaj që kthehen nga Iraku dhe Siria, si dhe nga përpjekjet për radikalizimin e rinisë shqiptare drejt dhunës.

Po ashtu në këtë raport përmendet edhe dëbimi i dy zyrtarëve iranianë. “Në dhjetor të vitit 2018, Shqipëria dëboi dy zyrtarë iranianë, përfshirë ambasadorin iranian, në përgjigje të një plani të sponsorizuar nga Irani për kryerjen e një sulmi terrorist në Shqipëri”.

Më tej, theksohet se Shqipëria vazhdon të përfitojë nga programet e asistencës së financuara nga qeveria amerikane për trajnimin e prokurorëve, zyrtarëve të zbatimit të ligjit, hetuesve financiarë, analistëve të zbulimit dhe gjykatësve. “Megjithë përpjekjet për parandalimin e financimit të terrorizmit, përmendet konkluzioni i MONEYVAL, organ i Këshillit të Evropës, që e vlerëson Shqipërinë me “efektshmëri të ulët” në tre drejtimet kryesore të financimit të terrorizmit: konfiskimin, hetimin dhe shtrirjen e sanksioneve financiare”.

Shkarkoni aplikacionin e A2