Lady Gaga rikthehet në ekranin e madh

Pas suksesit krah Bradley Cooper në filmin “A Star Is Born”, që i siguroi çmimin Oscar për kolonën zanore dhe kandidimin si aktorja më e mirë femër, Lady Gaga merr një tjetër ftesë, këtë herë për të luajtur në filmin e regjisorit Ridley Scott, “Gucci”, për vrasjen e ikonës së modës Maurizio Gucci.

Mediat amerikane thonë se Gaga do të jetë ish-gruaja e Gucci, Patrizia Reggiani, e cila është shpallur fajtore për urdhrin e vrasjes së tij. Maurizio Gucci është nipi i njeriut që themeloi firmën e modës Gucci.

Për rolin e saj të ri Lady Gaga do të shndërrohet në italianen e shoqërisë së lartë që bëri dy fëmijë me kreun e shtëpisë së famshme të modës, para se të divorcohej në 1985.

Reggiani është dënuar për pajtimin e një vrasësi me pagesë për të eliminuar ish-burrin jashtë zyrës së tij në Milano, në 1995, në një atentat të stilit mafioz. Gjatë gjyqit që u ndoq nga të gjitha mediat botërore ajo u etiketua si “vejusha e zezë” nga shtypi italian.

Patrizia Reggiani bëri 18 vjet burg para se të lirohej në vitin 2016. Ajo gjithmonë i ka mohuar akuzat. 

Shkarkoni aplikacionin e A2