Lazio thyen “mallkimin“ 30-vjeçar, mund “djajtë” e Milanit dhe i zhyt në “ferr”

Lazio fiton një ndeshje historike ndaj Milanit dhe zhyt “djajtë” në klasifikim, jashtë pretendimeve për një vend në kupat e Europës. Fjala historike vjen nga rekordi i thyer sot nga Lacio, që nuk fitonte në kampionat ndaj Milanit në Milano nga 3 shtatori i vitit 1989.

Ndeshja paraqitet e bukur me raste të ndryshme nga të dyja anët, Milani luan më mire por rastet më të pastra i ka Lazio me golashënuesin më të mirë të kampionatit, Ciro Immobile. Pasi kishte kapur traversën tre minuta më parë, sulmuesi bardheblu devijon një kros të Lazzari dhe mund Donnarummën (24’).

Por Lazio nuk arrin dot të gëzojë se 4 minuta më vonë një autogol i mbrojtësit Bastos befason Strakoshën. Në fund të pjesës së parë, portieri i Kombëtares shpëton portën e tij duke hequr topin nga linja e portës, rast ku milanistët protestuan por pa të drejtë.  

Pjesa e dytë fillon më e qetë, por kur dukej se ndeshja do të përfundonte në një barazim ndoshta të drejtë, por në kundërsulm Correa shënon me një predhë në të 88-ën.

Lazio me fitoren e sotme kap vendin e katërt me 21 pikë, ndërsa Milani mbetet në vendin e 12-të, me vetëm 13 pikë.

Shkarkoni aplikacionin e A2