“Preferoj emigrantë nga Guinea në vend të bandave bullgare”, Macron zemëron edhe Bullgarinë me deklaratat e tij

Pas pakënaqësisë që shkaktoi në vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut për refuzimin e hapjes së negociatave, Emannuel Macron ka zemëruar edhe bullgarët.

Një deklaratë e Presidentit të Francës ka sjellë reagime të shumta nga politika bullgare, me zëvendëskryeministrin Krasimi Karakatshanov që ka thënë se “Macron nuk ka të drejtë të fyejë popullin bullgar”.

Në një intervistë për revistën franceze me orientim të djathtë “Valeurs Actuelles”, Presidenti francez tha se do të veprojë me të gjithë forcën kundër imigracionit ilegal në Francë.

“Unë preferoj emigrantë legalë nga Guinea apo Bregu i Fildishtë (…) në vend të bandave ukrainase apo bullgare”, ishte deklarata e Macron.

Ministrja e Jashtme bullgare, Ekaterina Sacharieva ka porositur ambasadorin bullgar në Paris të dërgojë një notë proteste në Ministrinë e Jashtme franceze. Ndërkohë, edhe ambasadorja e Francës në Sofje, Florence Robine është thirrur të hënën në Ministrinë e Jashtme të Bullgarisë, ka bërë të ditur televizioni shtetëror në Sofje.

Shkarkoni aplikacionin e A2