Atentati ndaj prokurorit Ndoja. Dy ditë pas ngjarjes vetëm të shoqëruar, asnjë i dyshuar

Dy ditë pas atentatit të trefishtë ndaj prokurorit Arjan Ndoja, mikut të tij Aleksandër Laho, i njohur edhe me nofkën “Rrumi” dhe shoferit Andi Maloku, policia dhe prokuroria ende nuk kanë asnjë person të identifikuar për këtë ngjarje të rëndë.

Gjatë këtyre dy ditëve në Policinë e Durrësit janë kryer dhjetra shoqërime të personave që mund të kishin dijeni për ngjarjen, kryesisht persona të skeduar më parë për krime të ndryshme, ose që mund të jenë pjesë e dosjeve të hetuara nga prokurori Ndoja.

Por, deri më tani nuk ka asnjë person konkret të ndaluar apo të dyshuar për ngjarjen.

Sakaq, prokurori Arjan Ndoja dhe miku i tij Aleksandër Laho vijojnë të jenë nën vëzhgimin e mjekëve në Spitalin Rajonal Durrës. Ndërsa shoferi vazhdon të luftojë për jetën në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Prokurori Ndoja ka lënë Repartin e Reanimacionit që prej mëngjesit të së shtunës dhe vijon të mbahet nën kujdesin e mjekëve në dhomën personale ku ndodhet i shtruar. Në gjendje pak më delikate shëndetësore, por pa rrezik për jetën, ndodhet Laho, i cili vijon të marrë ende trajtim mjekësor në Repartin e Reanimacionit.

Të dy të plagosurit e atentatit të dy ditëve më parë mbahen po ashtu nën vëzhgim të rreptë nga forcat e rendit, ndërsa janë lejuar vetëm vizitat e familjarëve të tyre.

Për ngjarjen ka patur edhe një takim informal mes drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe grupit hetimor. Mbledhja ka zgjatur disa orë. Sipas burimeve të A2, Veliu ka kërkuar hetim intensiv të ngjarjes dhe përshpejtim të procesit.

Pistat ku po hetohet janë disa, ku më kryesorja është detyra e prokurorit Ndoja, por është edhe pista për Aleksandër Lahon, i cili ka pasur probleme me drejtësinë më parë. Prokurorët nuk e kanë të qartë nëse shënjestër e atentatit ka qenë prokurori apo Laho.

Ndoja ka përjashtuar mundësinë e njohjes së autorëve të ngjarjes. Ai ka thënë se pas një dreke në Durrës ishin nisur drejt Tiranës, ndërkohë që pranë mbikalimit të Shkozetit automjeti i tyre është qëlluar me breshëri plumbash. Ai gjithashtu ka mohuar të ketë pasur kërcënime apo të jetë ndjerë i rrezikuar.

Shkarkoni aplikacionin e A2