Zona e Elbasanit ku mbijetohet vetëm nga bujaria e natyrës

Fushë-Studen është një nga fshatrat e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, në rrethin e Elbasanit.

Ndonëse një zonë e mbrojtur dhe e përfshirë në projektin e 100 fshatrave, Fushë-Studen është lënë në harresë nga investimet shtetërore. Të parët që e ndjejnë mungesën e investimeve janë banorët e zonës, të cilët janë në kushtet e mbijetesës. Këta banorë e sigurojnë jetesën dhe shpenzimet e tjera me blegtori, duke shitur patate, e cila është e njohur në të gjithë vendin për cilësitë e saj.

Por, edhe ky produkt tani u ka mbetur pa shitur, sa për mungesë të tregut, aq edhe për mospërkrahje nga shteti sa i takon shpenzimeve për plehrat kimike apo çmimin e naftës për mjete bujqësore.

Edhe mungesa e veterinerëve në Fushë-Studen është një hall më tepër për banorët, të cilët duhet të shpenzojnë shumë për bagëtitë, duke udhëtuar drejt Librazhdit.

Në këtë zonë kanë filluar të bëhen investimet e para private edhe në turizëm. Bukuritë natyrore, klima, prodhimet bio, kanë filluar të tërheqin turistë, kryesisht të huaj, por edhe në këtë fushë mungojnë investimet e shtetit dhe investitorët kërkojnë të paktën rregullimin e rrugës, e cila edhe në kushte optimale klimaterike është e vështirë për t’u përshkuar.

Në mungesë totale të kujdesit dhe investimeve nga shteti, këta banorë, si në kohërat e lashta, po shfrytëzojnë bujarinë e natyrës për të mbijetuar.

Shkarkoni aplikacionin e A2