150 shqiptarë në kampet e ISIS, Spiropali: I kemi identifikuar, por u rrezikohet jeta nëse ekspozojmë identitetet e tyre

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha se Qeveria i ka identifikuar gratë dhe fëmijët e shqiptarëve që kanë luftuar për ISIS në Irak dhe Siri dhe që mbahen në kampe atje. Por, shtoi ajo, është e vështirë të veprohet pasi atyre u rrezikohet jeta.

“Ata kanë udhëtuar atje me dokument shqiptare të cilat janë grisur nga ISIS. Më pas kanë marrë emra arabë dhe kjo e bën të vështirë që të veprojmë”, tha Spiropali në Parlament, në një interpelancë të thërritur nga deputetët e opozitës, në të cilën ajo foli në vend të Kryeministrit Rama, që njëkohësisht mban edhe postin e Ministrit të Jashtëm.

“Nuk mund të ekspozojmë identitetin e grave dhe fëmijëve në kampe, pasi i vë në rrezik serioz për jetën. Kur ka persona që duan të largohen, ata që drejtojnë kampet nuk i lejojnë. Atyre u rrezikohet jeta kur bëhen publike detajet”, shtoi ajo. “Mos bëni politikë me ta. I kemi mbledhur emrat dhe i kemi identifikuar prej kohësh nga strukturat shtetërore”.

Duke folur për rastin e Alvin Berishës, vogëlushit shqiptar i cili kërkohej nga babai dhe u bë protagonist i emisionit italian “Le Iene”, Spiropali tha se shteti shqiptar ishte në kontakte të vazhdueshme me familjarët e tij. “Janë 10 mijë shtetas të huaj nga 70 mijë që ka në kampin “Al Holt”, ku ndodhet Alvin Berisha”, tha ajo. “Ballkani është rajoni me numrin më të madh të personave në zonat e konfliktit. Po bëjmë çmos për të kthyer gratë dhe fëmijët shqiptarë nga zonat e konfliktit. Në total janë 150 shqiptarë nga të gjitha trevat, mes tyre edhe të arrestuar. Nuk kemi statistika për numrin e fëmijëve të lindur atje”.

Shkarkoni aplikacionin e A2