Atentati në Shkozet, prokuroria sekuestron dosjet e Ndojës

Emra të njohur për drejtësinë, të cilët figurojnë në dosjet e prokurorit Arjan Ndoja si precedentë penalë, janë disa nga të shoqëruarit nga Policia e Shtetit në Tiranë, Durrës dhe Fushë-Krujë.

Kërkesa për shoqërimin e tyre pak orë pas atentatit të së premtes është bërë me urdhër të prokurorëve të Krimeve të Rënda, të cilët thanë se janë duke verifikuar vendndodhjen e tyre në kohën e atentatit.

Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja dhe miku i tij Landi Muharremi kanë qenë objektivi i atentatit në Shkozet të Durresit pasditen e së premtes. Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po heton mbi motivet dhe autorët e atentatit ka ngritur pistat e para. Ka dyshime se atentati të ketë qenë i porositur dhe pistat kanë lidhje me ngjarje kriminale dhe ato që lidhen me dosjet e pronave.

Prokurorët thanë se kanë marrë në cilësinë e provës materiale të gjitha dosjet e fundit që prokurori Ndoja ka marrë në shqyrtim. Dëshmia e tij është siguruar pak minuta pas ngjarjes, por prokurorët thanë se do ta ripyesin. Prokurorët thanë se janë në pritje të përmirësimit të gjendjes shëndetësore të Andi Malokut, shoferit të prokurorit dhe Landi Muharremit, mikut të tij, për të marrë dëshmi në imtësi dhe të dhëna që do të shërbejnë për hetimin.

Shkarkoni aplikacionin e A2