Gjata: Reforma zgjedhore s’bëhet pa ne, opozita e re, si emigrantët që martohen për letra!

Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata, tha në A2 se kushtet e Bundestagut gjerman erdhën pas alarmit të ngritur nga opozita.

Sa i përket reformës zgjedhore, Gjata theksoi se opozita nuk mund të ulet në tavolinë me mazhorancën. Po ashtu, ai u shpreh se kjo reformë nuk mund të bëhet me opozitën e re në parlament.

Thirrja e Mediut për lista të hapura

“Thirrja vjen si opozitë. Çdo parti që bën pjesë në opozitën e bashkuar ka sjellë grupin e saj, i cili po punon për një platformë në reformën zgjedhore. Nuk kemi besim tek ajo që po bën mazhoranca, aq më tepër me ata persona që e drejtojnë atë reformë. Ne nuk mund të shkojmë për fasadë në atë komision. Ne dogjëm mandatet, si mund të shkojmë në atë komision?! Nuk shkohet në komision me Damian Gjiknurin që sjell furgonë me kriminelë. Nuk shkohet në komision me Edi Ramën, që ka drejtuar fushatat e vjedhjes së votave. Ai thotë se mund ta bëjë reformën pa ne. Atëherë, pse duhemi ne atje? Ne jemi mbledhur si opozitë e bashkuar dhe po bëjmë punën tonë. Bundestagu ka vënë kusht: reforma nuk mund të bëhet pa opozitën reale. Ai le ta bëjë. Le të pijë detin. Le të plotësojë 9 kushtet. Ne do të nxjerrim platformën tonë dhe do të kërkojmë që të pranohet. Nuk e njohim atë lloj komisioni. Nuk ka vlerë reforma zgjedhore me ata persona. Prisni sa të dalë produkti i parë i punës së opozitës”.

“Opozita e re, si emigrantët që martohen për letra”

“Reforma zgjedhore nuk mund të bëhet pa ne. Opozita e re më ngjan me emigrantë që martohen për shkak dokumentesh! Ata janë të pabazë, është një martesë fiktive. Ata ndahen pasi marrin letrat, ikin në punë të vet. Ata nuk kanë parti, nuk kanë bazë”.

“Kushtet e Bundestagut, pas alarmit të opozitës”

“Çështja e Kajmakut, e Prelës, apo të tjerëve që po dalin me radhë, do të thonë se Edi Rama nuk bën dot zgjedhje pa persona të inkriminuar. Ku të shkojmë në karrigen e zgjedhores, me shokun e Kajmakut?! Po të mos e kishim bërë në këtë lëvizje, nuk do të ishte ndezur flakë komuniteti ndërkombëtar, nuk do të kishim 9 kushtet e Bundestagut, por do të kishim Ramën si pasha, si një Putin, që nuk do të lëvizte nga pushtit për asgjë. Gjykatë kushtetuese nuk ke, Prokurori nuk ke dhe ai nuk ka asnjë kontroll të brendshëm. Tani dolëm që i gjithë komuniteti ndërkombëtar është i sqaruar se çfarë po ndodh në Shqipëri. 9 kushtet e Bundestagut erdhën pas djegies së mandateve, 10 protestave, mos marrja pjesë në zgjedhje dhe lufta që ka bërë opozita e bashkuar, sidomos gjatë vitit 2019”.

“Hap pas hapi drejt rrëzimit të Ramës”

“Ne arritëm te 9 kushtet e Bundestagut pas një beteje që bëmë ndaj qeverisë kriminale. Do të jemi në zgjedhje të parakohshme. Takimet me rininë janë bërë të rikthyer shpresën, për të paraqitur platformën, por edhe për të marrë ide nga ata. Ky është thelbi i këtij turi”.

Atentati në Durrës, Gjata: Një prokurori nuk mund t’i bësh vetting me kallashnikov!

“Çfarë pune ka Kryeministri dhe zëvendësi i tij me një prokuror, të shkojnë edhe në sallën e gjyqit?! E akuzuan prokurorin si të lidhur me krimin dhe vetëm 2 javë më pas ky qëllohet për vdekje, po nga bandat kriminale. Unë nuk dua të shkojë drejt asaj që me urdhër të kryeministrit… jam jurist në radhë të parë dhe nuk mund të flasë pa pasur prova. Por ato deklarata janë inkurajim i krimit: ‘Bjerini se nuk ka mbështetjen tonë, nuk ju ndjekim!’ Ky është tmerr. Nuk mund t’i bësh vetting me kallashnikov një prokurori. Tani, çunat e furgonit janë: ‘Bjerini çuna’!”.

Shkarkoni aplikacionin e A2