Interpelanca për Alvinin, Përmeti: U shkel rregullorja e Kuvendit, keqinterpretim i qëllimshëm i ligjit

Kryeministri Edi Rama shmangu interpelancën si ministër i Jashtëm, lidhur me llogaridhënien e kërkuar nga deputeti opozitar Andi Përmeti se çfarë po bëhet për rikthimin e Alvinit, 11-vjeçarit shqiptar që u gjend në kampin e rrezikshëm “AL-Hol”.

Kryeministri Rama nuk iu përgjigj thirrjes së deputetit, madje ai nuk e delegoi këtë mundësi as te zëvendësministri Gent Cakaj, por te ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

I ftuar në A2, deputeti Andi Përmeti u shpreh se në këtë interpelancë mori vetëm një gjysmë përgjigje për njërën nga 8 pyetjet që ai bëri.

Përmeti theksoi se Alvini rrezikon jetën dhe shteti duhet të ndërhyjë ta kthejë atë në krahët e shtetit shqiptarë.

“Ishte një interprlancë urgjente, e kërkuar nga një grup prej 8 deputetësh, të cilët kërkuan ministrin e Jashtëm, por ai nuk erdhi. Kjo ishte një shkelje e pastër e rregulloresh. Mbase Spiropali nuk ka edhe faj që nuk di të japë sqarime, pasi nuk ka informacionet e duhura. Pati vetëm një justifikim nga Ruçi, që sipas tij, kryeministri ka të drejtë të delegojë kë do ai nga kabineti i ministrave për të bërë interpelancën. Por kjo ishte një shkelje e ligjit. Ishte një keqinterpretim i qëllimshëm i ligjit. Unë kisha 8 pika dhe për to u drejtova Spiropalit, pasi nuk kisha kujt t’i drejtohesha tjetër. Mora vetëm një gjysmë përgjigje mbi pyetjen e parë, mbi numrin e shtetasve shqiptarë në atë kamp. Për asnjë nga pyetjet e tjera nuk mora asnjë përgjigje. Kjo nuk vlen nëse nuk ka përgjegjësi për zgjidhjen e situatës. Ai kamp që zonja Spiropali tha se është i sigurt, mund të jetë tani duke u bombarduar. Spiropali nuk drejton luftën e të gjithë botës. Në këtë aspekt, ne donim përgjigje se kur djali do të jetë në krahët e të atit. Nuk morëm përgjigje për këtë. Kur atje u futën gazetarët, shteti shqiptar duhet të hyjë atje”, tha Përmeti në Ditarin e orës 13:00.

Shkarkoni aplikacionin e A2