Paralajmërimi i Roth për BE, “Lënia e Ballkanit në duart e Rusisë dhe Kinës është fatale”

Ministri gjerman për Europën, Michael Roth, ka kritika të forta për Brukselin. Duke ritheksuar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë vendin në Europë, shprehet se të dyja vendet kanë përmbushur kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian për çeljen e negociatave.

“Është fatale t’ua lëmë fushën aktorëve të tjerë si Rusia, Kina apo Turqia. Sigurisht interesi i tyre primar nuk është fuqizimi i demokracisë dhe sundimit të ligjit”, tha Roth.

Në një opinion të botuar nga media gjermane Die Welt, Roth pranon se duhet reformuar BE-ja, ashtu siç kërkon presidenti francez Emmanuel Macron, por shprehet kundër bllokimit të zgjerimit.

Një Union më i madh, thotë ai, është më i aftë, më sovran dhe më tepër demokratik që mund të rrisë sigurinë për popullin e tij. Ministri i qeverisë së kancelares Angela Merkel vijon me kritikat e tij ndaj BE-së, ndërsa shtyrjen e hapjes së negociatave e konsideron sërish një vendim të rrezikshëm që mund të ngjallë konfliktet etnike në rajon.

Edhe njëherë ai i kërkon liderëve të Unionit dhe shteteve anëtare që në verën e 2020 të marrin një vendim pozitiv për negociatat për Tiranën dhe Shkupin, pasi të dyja vendet e meritojnë diçka të tillë.

Shkarkoni aplikacionin e A2