Presidenti i PE, mesazh Tiranës dhe Shkupit

Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli publikoi një mesazh në rrjetet sociale para vizitave në Shkup dhe Tiranë.

Ai shprehu mbështetje për çeljen e negociatave të anëtarësimit, ndërsa theksoi se ndan zhgënjimin për bllokimin e tyre nga disa shtete anëtare.

“E dimë që qytetarët në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri u zhgënjyen shumë kur mësuan se disa shtete anëtare bllokuan hapjen e negociatave të anëtarësimit. Unë e kuptoj dhe e ndaj zhgënjimin tuaj. Si shtete keni përmbushur të gjitha kriteret, keni bërë një punë të shkëlqyer dhe e keni merituar dritën jeshile për çeljen e negociatave. Për këtë u shprehën shumë qartë Parlamenti dhe Komisioni Europian si dhe një mazhorancë e gjerë qeverish të vendeve anëtare. Por diskutimet nuk përfundojnë këtu. Parlamenti Europian, shtëpia e demokracisë europiane, qëndron përkrah jush. Nuk do të qëndrojmë në heshtje.

Do të angazhohemi fuqishëm që në Këshillin e ardhshëm Europian të ketë një votim pozitiv. Kam një porosi, veçanërisht për të rinj në Maqedoninë e Veriut. Ju lutem mos e humbisni shpresën, mos hiqni dorë nga e ardhmja europiane. Ju bëni pjesë në familjen tonë dhe në fund do të arrini të bëheni anëtar. Pasi kjo familje do t’iu presë me besim dhe shpresë”, tha Sassoli.

Shkarkoni aplikacionin e A2