Shqipja urgjencë kombëtare, gjuhëtarët: Qeveria të marrë masa, gjuha po deformohet

Shqipja është në rrezik! Gjuha amtare po keqpërdoret nga mosdija. Mjafton të shkosh në Fakultetin Histori – Filologjisë për të kuptuar sesi do të jenë mësuesit e ardhshëm të shqipes, por dhe të profileve të tjera.

Studentët pranojnë publikisht mangësitë e mëdha, sidomos te koha e foljeve. Për gjuhëtarët, shqipja është në urgjencë kombëtare. Të njohur me mangësitë e mëdha të brezit të ri dhe jo vetëm, pedagogët e gjuhësisë kërkojnë nga Qeveria politika konkrete për mbrojtjen e shqipes.

“Kjo situatë urgjence vërehet jo vetëm në media, vërehet në nivele të frikshme në politikë, te studentët, te mësuesit në shkolla”, thotë Aljula Jubani, pedagoge e gjuhës shqipe. “Pra shteti duhet të orientohet të ndërtojë politika serioze për mësimin, zotërimin e shqipes në të gjitha nivelet”.

Pedagogë e studiues të gjuhës propozojnë ndarjen e shqipes nga letërsia që në arsimin e detyruar e deri në provimin e maturës shtetërore. Kjo lëndë për ta duhet të jetë e detyrueshme edhe në Universitete. “Në pjesën më të madhe të fakulteteve si lëndë me zgjedhje, por pse jo në disa Fakultete specifike të jetë edhe lënë me detyrim”, thotë Rozana Rushiti, pedagoge e gjuhës shqipe.

“Gjuha shqipe duhet të hyjë si lëndë e veçantë, me orë të veçanta, dhe duhet të jetë detyrimisht provim shteti. Është tjetër gjë zotërimi i letërsisë, i të gjitha lëndëve, por gjuha është në themel të kompetencave të çdo individi”, thotë Jubani.

Prej ditësh gjuhëtarët po japin alarmin për rrezikun e shqipes nga keqpërdormi i saj, si në të shkruar ashtu edhe në të folur. Nëse nuk do të dëgjohet zëri i tyre, të tilla ligjërime do t’i kemi më të shpeshta nga auditorët e klasave deri në foltoret e Parlamentit.

Shkarkoni aplikacionin e A2