Shtyhet vendimi për Besnik Muçin, KPA nuk pranoi provat e paraqitura prej tij

Shtyhet për në 7 nëntor seanca në Komisionit të Posaçëm të Apelimit për Besnik Muçin. Kolegji nuk pranoi provat e paraqitura nga Muçi, të marra nga Greqia dhe Turqia, për shkak se nuk janë paraqitur në formën e kërkuar nga ligji. Muçi shpjegoi për Kolegjit se po pret ardhjen e tyre me postë diplomatike.

Vettingu për prokurorin Muçi, i cili ditët e fundit është betuar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, vijon në shkallën e dytë pasi Komisioneri Publik apeloi vendimin e KPK për ta konfirmuar atë në detyrë për shkak të problemeve me pasurinë si dhe marrjen e një huaje nga dy persona të proceduar penalisht.

KPA kërkoi në seancën e mëparshme informacion nga Prokuroria për Krimet e Rënda dhe Prokuroria e Tiranës, të cilat kanë kthyer përgjigjet dhe ato i janë përcjellë Komisionerit Publik dhe subjektit. Prokurori Muçi deklaroi para trupës së KPA se pasi u njoh me përgjigjen rezultoi se për shtetasit e paraqitur nuk ka kryer veprime proceduriale.

“Kërkoj të merren si provë bilancet financiare të dy huadhënësve të mi, çka provon aftësinë e tyre dhe të ardhurat në burime të ligjshme. Dy personat e lidhur  me mua, A.L. dhe B.O. janë proceduar për “moskallëzim krimi” dhe “drejtim të parregullt të mjetit”, komisioneri duhet të sqaronte cila është lidhja e këtij informacioni me procesin. A.L. sot është një nga taksapaguesit me të mëdhenj të bashkisë Tiranë dhe një nga punëdhënësit më të mëdhenj”, shtoi Muçi.

Shkarkoni aplikacionin e A2