
Policia ka arrestuar një person mëngjesin e sotëm, i dyshuar si një nga autorët e plagosjes së trefishtë në Durrës, ku një prej të plagosurve ishte dhe prokurori Arjan Ndoja. I arrestuari është Redjan Rraja, 34 vjeç. Rraja është i njohur si një nga personat e proceduar penalisht për vrasjen e Elton Çiços në ish-Bllok. Ai është gjithashtu i afërm i deputetit socialist Rahman Rraja. Rraja është marrë në pyetje nga prokurorët në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ndërsa prokurorët dyshojnë se ka edhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Arrestimi është kryer në orët e para të mëngjesit të së martës në Fushë Krujë. Ndërkohë, janë duke u bërë ende verifikime dhe hetime për bashkëpunëtorët në ngjarje.
“Për dokumentimin ligjor të këtij procedimi penal në lidhje me autorët e mundshëm të kryerjes së kësaj ngjarje të rëndë kriminale, me qëllim zbulimin dhe sekuestrimin e provave materiale që lidhen me autorët e kryerjes së kësaj ngjarjeje, iu kërkua Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda lejimi i kontrollit të banesave të 11 shtetasve me banim në Krujë dhe të katër shtetasve me banim në Tiranë dhe në Lushnjë. Si rezultat i këtyre kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan prova materiale që dyshohet se kanë lidhje me autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje. Provat e sekuestruara po i nënshtrohen një analize të hollësishme nga grupi hetimor dhe një pjesë e tyre u dërguan në Laboratorin Shkencor për ekzaminim të mëtejshëm”
Njoftimi i Policisë
Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja dhe miku i tij Landi Muharremi kanë qenë objektivi i atentatit në Shkozet të Durrësit pasditen e së premtes. Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po heton mbi motivet dhe autorët e atentatit ka ngritur pistat e para. Ka dyshime se atentati të ketë qenë i porositur dhe pistat kanë lidhje me ngjarje kriminale dhe ato që lidhen me dosjet e pronave.
Prokurorët thanë se kanë marrë në cilësinë e provës materiale të gjitha dosjet e fundit që prokurori Ndoja ka marrë në shqyrtim. Dëshmia e tij është siguruar pak minuta pas ngjarjes, por prokurorët thanë se do ta ri-pyesin.
Provat shkencore tradhtuan Rrahjën, pasi gjatë ekspertizës shkencore, ushtruar në dy armë zjarri Kallashnikov dhe dy maska të gjetura në një makinë të braktisur, u gjetën prova që çuan në arrestimin e tij.
Nga ana tjetër, burime të gazetares së A2, Anduena Llabani, prokurorët paralajmërojnë edhe arrestimet të tjera, pasi mendohet se Rrahja ka pasur bashkëpunëtorë të tjerë. (A2 Televizion)