Atentati në Durrës, kontrolle në banesa, gjenden armë e municione

Policia ka kryer kontrolle blic në disa banesa në Durrës, Tiranë dhe në Fushë Krujë në kërkim të autorëve të atentatit të javës së kaluar në Shkozet ku mbetën të plagosur 3 persona, prokurori Arjan Ndoja, Landi Muharremi dhe Andi Maloku.

Mësohet se gjatë kontrollit në banesat e personave të dyshuar si autorë janë gjetur armë dhe municione. Megjithatë, mësohet se ende nuk ka një emër konkret edhe pse janë shoqëruar në polici mbi 20 persona.

Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja dhe miku i tij Landi Muharremi kanë qenë objektivi i atentatit në Shkozet të Durrësit pasditen e së premtes. Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po heton mbi motivet dhe autorët e atentatit ka ngritur pistat e para. Ka dyshime se atentati të ketë qenë i porositur dhe pistat kanë lidhje me ngjarje kriminale dhe ato që lidhen me dosjet e pronave.

Prokurorët thanë se kanë marrë në cilësinë e provës materiale të gjitha dosjet e fundit që prokurori Ndoja ka marrë në shqyrtim. Dëshmia e tij është siguruar pak minuta pas ngjarjes, por prokurorët thanë se do ta ri-pyesin. Prokurorët thanë se janë në pritje të përmirësimit të gjendjes shëndetësore të Andi Malokut, shoferit të prokurorit dhe Landi Muharremit, mikut të tij, për të marrë dëshmi në imtësi dhe të dhëna që do të shërbejnë për hetimin.

Shkarkoni aplikacionin e A2