Lautaro dhe Vecino nuk mjaftojnë, Dortmundi përmbys Interin

Interi nuk ka mundur dot që të ruajë avantazhin 2-0 të pjesës së parë ndaj Borussia Dortmund dhe del pa pikë nga transferta e vështirë gjermane, duke e bërë thuajse të pamundur kualifikimin për në raundin tjetër të Champions League.

Lautaro Martinez në minutën e pestë dhe Vecino në minutën e 40 krijuan iluzionin se zikaltërit do ta kalonin me sukses Borussian, por në pjesën e dytë gjermanët u shndërruan duke mbyllur Interin në gjysmëfushë dhe duke gjetur 3 golat e përmbysjes.

Heroi i takimit ishte padyshim Aschraf Hakimi me dy gola, ndërkohë që goli tjetër u realizua nga Brand.

Me këtë humbje, skuadra e Antonio Contes e sheh veten në vendin e tretë të grupit me 4 pikë, 3 më pak se Borussia dhe 4 më pak se Barcelona kryesuese.

Ndërkohë, Liverpool ka marrë kryesimin e grupit E pas fitores 2-1 ndaj Genk në Anfield, e shoqëruar kjo me barazimin 1-1 të Napolit ndaj Salzburg. “The Reds” kryesojnë me 9 pikë, një më shumë sesa ekipi i drejtuar nga Carlo Ancelotti.

Në grupin H, Chelsea dhe Ajax barazuan 4-4, në një ndeshje ku ekipi holandez luajti me dy lojtarë më pak për 20 minuta, pasi dy mbrojtësit Blind dhe Veltman u ndëshkuan me kartonin e dytë të verdhë brenda një minute, duke bërë që Ajax të mos e ruante dot avantazhin 1-4 që gëzonte deri në minutën e 70.

Fitorja e Valencias ndaj Lille, bën që ky grup të ketë 3 skuadra (Chelsea, Ajax dhe Valencia) me 7 pikë.

Shkarkoni aplikacionin e A2