Modeli norvegjez për Ballkanin, mediat: Parisi dhe Berlini po përgatisin ofertën

“Koncepti i zgjerimit ka vdekur prej kohësh. Është tashmë momenti i gjetjes së një alternative të re”.  Kështu shkruan Deutsche Welle në një analizë që ndalet tek ideja gjithnjë e më e lakuar e një modeli norvegjez për Ballkanin Perëndimor.

Media citon fillimisht Gerald Knaus, drejtor i iniciativës europiane për stabilitet, i cili veton e Emanuel Macron për Tiranën dhe Shkupin e quajti si fund të torturës. Sipas tij, BE duhej t‘iu ofronte të gjitha shteteve të Ballkanit mundësinë e aderimit në një treg të përbashkët, si Norvegjia apo Islanda.

Gazeta Večernje Novosti, duke iu referuar burimeve anonime, informoi se Parisi dhe Berlini janë duke përgatitur ofertën për në pranverë. Në maj, liderët e shteteve të rajonit do të mblidhen në samitin e BE, në Zagreb, dhe ka gjasë që modeli norvegjez të jetë mbi tryezë.

“BE bën sikur dëshiron të pranojë vendet ballkanike si anëtare dhe udhëheqjet e këtyre vendeve sikur zbatojnë reformat. I gjithë ky teatër dhe gjuha politike për ‘perspektivën evropiane’ dhe ‘vlerat evropiane’ kanë marrë tani goditje të rëndë dhe është mirë kështu. Tani duhet të vijë oferta e re dhe ajo duhet të jetë e mire”, tha Andreas Ernst, gazetar i Neue Züricher Zeitung.

Sipas analistëve, modeli norvegjez nuk është humbës. “Ky nuk është aspak një model humbës për Ballkanin. Është më mirë që në një afat të shkurtër të bëhen hapa të vegjël integrimi, se sa të shpresosh për anëtarësim në BE dhjetë apo njëzet vjet”, shtoi Ernst.

Norvegjia, bashkë me Islandën e Lihtenshtejnin janë anëtarë të hapësirës ekonomike europiane, një mekanizëm i krijuar në 1992, i cili lejon lirinë e lëvizjes dhe mallrave me vendet e BE. Taksat doganore janë të aplikueshme vetem te ushqimet e pijet. 

Shkarkoni aplikacionin e A2