Reforma Zgjedhore, Çuçi: Po diskutojmë që 6 muaj para zgjedhjeve qeveria të jetë në heshtje

Ministri i Bujqësisë, Blendi Çuçi ishte i ftuar në ditarin e orës 13:00 në A2, për të folur për çështjen më të rëndësishme të politikës në ditët e fundit që është pikërisht reforma zgjedhore.

Ministri Çuçi u shpreh se mazhoranca i ka lënë të gjithë hapësirën pjesës së opozitës që është jashtë institucioneve që të kontribuojë me propozime brenda komisionit parlamentar.

“I vetmi instrument që mund ta çojë përpara reformën është komisioni ad hoc parlamentar i reformës zgjedhore. Opozita jashtë parlamentare e ka të gjithë mundësinë që të sjellë propozimet e veta dhe të jetë pjesë e produktit që do të dalë nga komisioni”, tha Çuçi.

Ministri i Bujqësisë komentoi dhe disa nga propozimet e opozitës jashtë parlamentare që duan të bëhen pjesë e reformës zgjedhore, mes të cilave dhe qeveri tranzitore 3 muaj përpara zgjedhjeve.

“Kërkesat e opozitës nuk janë pjesë as e axhendës së rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe as e pikave të Bundestagut. Në lidhje me qeverinë tranzitore nuk është se kemi ndonjë model të qartë që na vjen qoftë dhe nga rajoni. Gjithsesi ka vende që aplikojnë mekanizma të ngjashëm. Por ne do vendosim rregulla që në 6 muajt e fundit të qeverisjes, përpara zgjedhjeve të përgjithshme, qeveria të jetë në heshtje totale. Ky propozim mund të ketë ngjyra të një qeverie teknike, por kjo gjë duhet diskutuar në komisionin ad hoc”, shtoi Çuçi.

Shkarkoni aplikacionin e A2