Tmerr në Meksikë, vriten nga karteli 9 pjesëtarë të një familjeje

Nëntë pjesëtarë të një familjeje, pjesë e komunitetit mormon në SHBA u vranë të martën pranë në Meksikë, pranë kufirit amerikan. Shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë, që po udhëtonin nga Sonora për në Çihuahua në Meksikë. Ata kishin nënshtetësi amerikane dhe meksikane.

Prokurori i Përgjithshëm i shtetit të Çihuahuas, Cesar Peniche Espejel deklaroi se ata u sulmuan nga grupet kriminale.

Alex LeBaron, i cili thotë se ka humbur pjesëtarë të familjes, deklaroi për CNN se ata po udhëtonin me tre makina kur u sulmuan me armë. Tre gra, katër fëmijë të vegjël dhe dy foshnje humbën jetën.

“Ata u masakruan, u dogjën të gjallë”, tha LeBaron, ndërsa konfirmoi se shtatë fëmijë të tjerë, që kishin mbetur të plagosur, ishin dërguar me avion nga Meksika në Arizona, për t’u kuruar në spitalin e Tuksonit. Ai tha se makinat ranë pre e dy sulmeve të ndryshme, me gjasë nga i njëjti kartel droge, por ka shumë mundësi që atentatorët të kenë ngatërruar objektiv dhe të kenë ngatërruar të pafajshmit me pjesëtarë të bandave rivale.

Ngjarja makabër ndodhi në një kohë kur dhuna është përshkallëzuar në Meksikë. Muajin e kaluar 13 policë u vranë pas një prite në shtetin perëndimor Miçoakan, ndërsa pak javë më parë, dy djemtë e El Chapo-s u arrestuan, por arritën të shpëtonin pasi agjentët speciale u rrethuan nga civilë të armatosur që praktikisht e bënë qytetin zonë lufte.

Shkarkoni aplikacionin e A2