A ka valë të re emigrimi? Gjebrea: Situata nuk është alarmante

Shqiptarët po largohen nga vendi. Kjo dukuri është e ndjeshme kryesisht tek të rinjtë, për shkak të politikave joshëse që po zbatojnë vendet europiane për të tërhequr fuqi punëtore, por edhe pakënaqësive ekonomike apo edhe mungesës së shpresës në vend.

Një konglomerat faktorësh që në finale po shkaktojnë tkurrjen e popullsisë dhe plakjen e saj. Vetëm 2,8 milionë banorë kemi mbetur sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, teksa mosha mesatare është rritur në mbi 35 vjeç nga 27 që ka qenë në vitet ’90.

Ekspertët vendas dhe të huaj kanë dhënë alarmin për masat që duhen ndërmarrë për të frenuar një hemoragji të tillë, pasi pasojat do të ndihen në shoqërinë dhe ekonominë shqiptare tani dhe në të ardhmen. 

E ftuar në studoin e A2 Business Ëeek, deputetja e Partisë Socialiste, Elona Gjebrea, deklaroi se “shifrat që kanë të bëjnë me largimet kanë nevojë të analizohen me kujdes” dhe se nuk duhet “që të krijojmë perceptimin e një situate alarmante”.

“Shqipëria, ashtu si vendet e tjera të Evropës Juglindore, po përballet me plakjen e popullsisë. Gjithashtu, nga viti 2011 patëm liberalizimin e vizave dhe ky fakt ka ndikuar. Shqiptarët kanë vetëm 7% të kërkesave për azil në Francë. Sllovakët dhe polakët, në momentin që janë futur në BE, kanë pasur rritje shumë të madhe emigracioni”, theksoi deputetja socialiste.

Ndryshe mendon Albert Gajo, ish-zv/ministër i Integrimit, i cili nënvizon se situata “është alarmante” dhe nuk kemi të bëjmë me një fenomen që vjen nga hapja e tregjeve të punës jashtë vendit”.

“Në Shqipëri po ikin profesionistët. Nëse ikin 1000 inxhinierë, do të thotë që ka 1000 vende pune të lira dhe paga duhej të rritej për këto, por kjo nuk po ndodh. Kjo tregon që shkaqet e emigracionit kanë të bëjnë me situatën e brendshme. Situata ekonomike nuk po përmirësohet pas më shumë se 20 vitesh tranzicion. Kjo bën që edhe ata që duan të kthehen, nuk kthehen pasi nuk ka mundësi në vendin tone”, shpjegoi Gajo.

Kur u pyet mbi masat që duhen marrë, Gjebrea tha: “Duhen politika më të mira sociale në mbështetje të të rinjve dhe familjeve të reja, inkurajim të biznesit privat dhe forcim të arsimit profesional. Ende ka paragjykim për këtë arsim”.

Ndërsa për zotin Gajo, “duhet pranuar që situata është emergjente dhe qeveria të jetë transparente se si i shpenzon fondet, si planifikon buxhetin dhe ndikimin që do të ketë ai në sektorët ekonomikë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2