Fermerët, prej javësh në protesta

Fermerët dhe blegtorët e Myzeqesë prej javësh janë ngritur në protesta, nisur nga gjendja e tyre e rënduar financiare, si pasojë e vështirësive për të gjetur tregje.

Ata kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme nga shteti, si subvencionimi i prodhimit të tyre, blerja e naftës pa akcizë dhe ulja e TVSH-së për produktet bujqësore në shitje. Protestat janë shoqëruar me marshime, të shoqëruar edhe nga forcat e rendit, teksa kanë hedhur në rrugë në mënyrë simbolike produktet e pashitura si domatet dhe kastravecat.

Sipas tyre, këtë vit situata është më e vështirë, për shkak se shumica e prodhimit të tyre ka mbetur në serra, ndërkohë që pikat e grumbullimit detyrohet të ofrojnë një çmim të konsideruar prej tyre shumë të ulët.

Pas protestave të shumta, ende nuk ka një reagim zyrtar nga qeveria. Arsye pse fermerët kanë paralajmëruar një protestë ditën e enjte përpara Ministrisë së Bujqësisë.

Mungesa e financimeve është një ndër problemet e mëdha që hasin fermerët shqiptarë. Aksesi i tyre në banka është i kufizuar, pasi bujqësia konsiderohet sektor me risk. Vetëm 1.5% e totalit të kredisë bankare shkon për këtë degë të ekonomisë, që jep gati 20% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Nga ana tjetër, i vështirë është edhe përfitimi i fondeve të Bashkimit Europian, për shkak të kritereve që duhen plotësuar dhe hartimit të projekteve serioze e të besueshme.

Shkarkoni aplikacionin e A2