Islami: Rama e përdor reformën zgjedhore për diversion ndaj opozitës

Për Kastriot Islamin, Edi Rama e përdor reformën zgjedhore për diversion ndaj opozitës. Ai thekson se për këtë reformë mungon vullneti politik dhe nuk mund të diskutosh për përmbajtjen pasi dështimi është i garantuar.

“Nuk dua të flasë për gjëra konkrete, pasi më duket ende të papjekura për t’u hedhur në tavolinë. Po nuk u ndërtua një proces i duhur për të shkuar të shqyrtimi i përmbajtjes, dështimi është i garantuar. Për të ndërtuar një proces që çon te shqyrtimi i përmbajtjes, duhet së pari vullneti politik, të cilin mazhoranca nuk e ka.

Rama nuk kërkon të kryejë një reformë zgjedhore, por e përdor atë si një mekanizëm politik kundër opozitës. Më saktë, ai e përdor atë për diversion ndaj opozitës, në një opozitë që është Brenda dhe një opozitë që është jashtë parlamentit. E dyta, është ndërtimi i besimit reciprok. Nëse kjo nuk arrihet, më pas edhe me një vullnet të mirë nuk mund të garantosh sukses në shqyrtimin e përmbajtjes. Rama provokon, duke thënë se unë jam djalë i mirë dhe këta janë djem të këqij”, tha Islami në Ditarin e orës 13:00.

Më tej, ai u pyet edhe për ndikimet e shteteve të tjera në vendin tonë, duke deklaruar se modeli i Ramës e bën vulnerabël vendin. “Një shtet nëse do të zvogëlojë tentativat që mund të kenë faktorët e tjerë për të ndërhyrë, atëherë duhet të jetë sa më demokratik. Një vend që është i korruptuar në mënyrë shumë të rëndë, në një vend ku lidhjet e Ramës janë të qëllimshme dhe të plota thjesht për qëllime personale, të gjitha këto krijojnë një demokraci të dobët dhe ndikon edhe te ndikimi nga shtetet e tjera. Kjo është një lojë e hapur gjeopolitike”, tha Islami.

Shkarkoni aplikacionin e A2