Ngadalësimi i ekonomisë, Sejko: Efekti negativ deri në fund të vitit

Banka e Shqipërisë evidenton rreziqet që kërcënojnë ekonominë pas uljes se rishikimit për rritjen ekonomike nga qeveria. Guvernatori Gent Sejko theksoi se rreziqet janë shtuar dhe bashkë me to, edhe presioni mbi ekonominë.

Pas uljes së pritshmërive për rritjen ekonomikë nga ana e qeverisë në 3,4% për vitin 2019, edhe Banka e Shqipërisë thekson se faktorë si prodhimi i energjisë, mbyllja e lojrave të fatit dhe përfundimi i dy projekteve të mëdha me investim të huaj, do të vijojnë të japin ndikim negativ në ekonominë e vendit.

“Këto efekte do të jenë të pranishme edhe në gjysmën e dytë të këtij viti. Për rrjedhojë, ritmi i rritjes ekonomike në këtë periudhë pritet të jetë i krahasueshëm me atë të gjysmës së parë të vitit, por do të vijë në përshpejtim në dy vitet në vazhdim”, tha Sejko.

Sipas guvernatorit, këtyre faktorëve u shtohen rreziqe të tjera të brendshme dhe të jashtme që mund të zhbalancojnë ekonominë: “Ngadalësimi i ekonomisë së eurozonës dhe tensioni politik jep pasiguri”.

Në këto kushte, Sejko apeloi për kujdes nga ana e qeverisë në administrimin e borxhit publik dhe theksoi nevojën për përshpejtimin e reformave strukturore.

Shkarkoni aplikacionin e A2