Porositë e Haradinaj: Kurti të ketë kujdes me taksën, lista serbe të jetë në qeveri

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, po përgatitet t’i lerë postin pasuesit të tij. Përpara se kjo të ndodhë, ai jep disa porosi. Në një intervistë për median “Ekonomia Online”, Haradinaj kërkon nga qeveria e re që të mbajë në fuqi taksën 100% ndaj Serbisë.

“Kushdo nga Kosova që ka thënë se duhet suspenduar taksa është bërë me Serbinë, sepse ka qenë ky kusht i Vuçiç për t’u kthyer në dialog kur hiqet taksa. Imagjinoni kur bëhen të gjithë andej, e unë mbes vet, atëherë aleatët kanë problem me ne. Nëse ne jemi në një fjalë nuk ka lidhje kush është kryeministër. Qëndrimi im do të jetë pro temave të interesit nacional sa i përket Serbisë dhe integrimeve euroatlantike”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj e përshëndet nismën e Lëvizjes Vetëvendosje për uljen e numrit të ministrive në 12. Kryeministri në largim e këshillon Kurtin që të mos ketë frikë nga Lista Serbe dhe ta bëjë atë pjesë të qeverisë së re. “Nuk jam i mendimit që duhet përjashtuar Lista Serbe. Nuk ta bën Qeverinë më pak të Kosovës, ose ma proserbe një ministër, cilido qoftë ai. S’ka çka të bën në qeveri. Nuk ke pse frikësohesh prej askujt”, shtoi ai.

Haradinaj flet edhe për Gjykatën Speciale, ndërsa iu kërkon ish luftëtarëve të UÇK-së që të qëndrojnë të qetë dhe mos të prodhojnë trazira në Kosovës. Shumë shpejt, lufta e UÇK-së do të spastrohet edhe nga kjo njollë e zezë dhe e padrejtë, përfundon kryeministri në largim. 

Shkarkoni aplikacionin e A2