Prononcimi i prokurorit Ndoja për A2, KLP: Nisni hetimin disiplinor

Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka dërguar një letër Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku, ku kërkon nisjen e hetimit disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoja, pasi dyshon që ai ka kryer shkelje disiplinore.

“Nisur nga të dhëna paraprake si dhe nga një prononcim dhëne për median A2 News nga prokurori Ndoja, bëhet me dije fakti që prokurori drejton prej kohësh një studio ligjore ku ofron konsulencë ligjore për çështje të ndryshme. Ky fakt nëse do të rezultonte i vërtetë, do të përbënte shkelje disiplinore të parashikuara në nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Letra e KLP për Prokuroren e Përgjithshme, Arta Marku

Neni 103, pika “a” dhe “ç”

a) Anëtarësia në subjekte ose ushtrimi i veprimtarive, edhe të ligjshme, por që nuk janë në pajtim me detyrat dhe parimet e ushtrimit të rregullt të funksionit të magjistratit, të parashikuara në nenet nga 6 deri në 8 të këtij ligji;

ç) Shoqërimi me persona që janë nën ndjekje penale ose janë subjekte të një procedimi penal, ose me persona të dënuar, përveç rasteve të rehabilitimit të personave të dënuar, ose persona të cilët janë të afërm me magjistratin në lidhje gjaku ose me ligj, dhe pasja e marrëdhënieve të biznesit të papërshtatshme me këta persona

Çfarë tha prokurori për A2?

“Unë prej kohësh drejtoj një studio ligjore, ku ofroj dhe konsulencë ligjore për çështje të ndryshme. Ndër to janë disa çështje që lidhen me pronat, por edhe çështje penale për të cilat unë jam njohës dhe sugjerues. Shpresoj që prokuroria të tregohet objektive në hetim, pasi këto janë gjëra të ditura dhe unë nuk kam shkelur asnjë ligj apo të drejtë”

Shkarkoni aplikacionin e A2