Xhafaj përshëndet nisjen e vettingut në Polici: Të jetë jashtë çdo ndikimi politik

Ish ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj përshëndeti përmes një postimi në rrjetet sociale nisjen e vettingut në radhët e Shtetit. Sipas Xhafajt për këtë proces u punua për muaj me radhë me qëllimin e ngritjes se një force profesioniste dhe me integritet.

“Një lajm i mirë. Nisi dje seanca e parë e vettingut për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA. Vettingu një standard ndërkombëtar, jetik për krijimin e një trupe policore profesioniste dhe me integritet të lartë moral dhe profesional. U punua fort për muaj të tërë gjatë 2017, për konceptimin e kësaj reforme”, u shpreh Xhafaj

Megjithatë, ish ministri i Brendshëm nuk harroi të shkruajë për shtyrjen e zbatimit të procesit të vettingut në polici që sipas tij së bashku me reformën në drejtësi do të sjellë shpresë në ringritjen e institucioneve me standard.

“U zvarrit pa asnjë shkak, për arsye krejt subjektive, por më mirë vonë se kurrë! Shpresoj që gjithçka të eci mbarë përmes një procesi objektiv, të paanshëm dhe profesional jashtë çdo ndikimi politik dhe shtetëror. Asistenca e mbikëqyrja ndërkombëtare, por edhe transparenca e medias së lirë, një garanci e madhe. Vettingu në Polici së bashku me zbatimin e Reformës në Drejtësi shpresë dhe besim në ringritjen e institucioneve në standardet europiane si parakusht për luftën reale kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe konsolidimin e shtetit të së drejtë”, përfundon Xhafaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2