Zgjedhjet në 3 shtete amerikane, “shuplakë” për Trump, humb në Kentucky dhe Virginia

Rezultate të hidhura për Donald Trump, në super të martën zgjedhore në 3 shtete amerikane, e konsideruar si një test kyç para votimit për Shtëpinë e Bardhë në 2020-n.  Demokrati Andy Beshear shpalli fitoren si guvernator i Kentucky, pas një gare të ngushtë në shtetin konservator.

Demokratët morën gjithashtu kontrollin e plotë të legjislaturës në Virginia për herë të parë në mbi 20 vjet. Gjithsesi republikanët ruajtën pushtetin ne Mississippi pas një gare të ngushte. Në Kentucky, kandidati demokrat shpalli fitoren ndaj guvernatorit republikan në detyrë Matt Bevin, pasi rezultatet i dhanë atij një përparësi prej 0.4 përqind. Bevin refuzoi të pranonte humbjen duke cituar parregullsi.

“Sot, votuesit në Kentucky përcollën një mesazh të qartë. Ai thotë se zgjedhjet, jo gjithmonë kanë të bëjnë me të djathtën kundër të majtës. Ato vazhdojnë të jenë një garë mes të mirës dhe të keqes” u shpreh kandidati Andy Beshear.

Disfata shihet si një goditje për Trump, i cili i shprehu mbështetjen e fortë kandidatit republikan Bevin, gjatë nje tubimi elektoral mbrëmjen e së hënës. Në një fjalim për mijëra mbështetës, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se humbja e mundshme e Bevin do të cilësohej si disfata më e rëndë në histori nga kritikët e tij. Por pavarësisht se humbën në garën për guvernator, kandidatët republikanë fituan në 5 votime të tjera, përfshirë atë për prokurorin e Përgjithshëm të Shtetit.  Në Virginia demokratët siguruan shumicën në të dyja dhomat e legjislaturës shtetërore.   

  • LAJMI I FUNDIT | Një vend dy anëtare në Kushtetuese, Meta: S’ka afat për Presidentin
  • LAJMI I FUNDIT | Presidenti Meta: Kemi dy vite pa Kushtetutë
  • LAJMI I FUNDIT | Meta: Është detyra e KED-it të rregullojë listat e vakancave të kandidatëve