Alvin Berisha i lirë, 11-vjeçari ndodhet ne Damask

Alvin Berisha, është i lirë. 11-vjeçari tashmë ka dale nga kampi Al-Hol në Siri dhe ndodhet në Damask. Lajmin e ka konfirmuar Ilir Kulla, ish-gazetar dhe këshilltar i Presidentit Meta, i cili ka postuar edhe një fotografi të Alvinit në mediat sociale, ku vogëlushi shfaqet pranë një punonjësit të Gjysmëhënës së Kuqe.

Kulla nuk jep detaje të tjera dhe nuk dihet roli i tij ne lirimin e Alvinit nga kampi Al-Hot. Ai vetëm uron ne Facebook “mirëmëngjes me Alvinin e lirë në Damask”.

Operacioni për shpëtimin e tij konfirmohet edhe nga mediat italiane, ku rasti dramatik u bë i njohur fillimisht. “La Repubblica” shkruan se në operacion kanë marrë pjesë anëtarë të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, të cilët kanë bashkëpunuar edhe me autoritetet italiane dhe ato shqiptare.

Nga Damasku, Alvin do të transportohet në Bejrut e më pas do të niset për në Romë për t’u takuar me babain. Ky është rasti i parë që një fëmijë lirohet nga një kamp refugjatësh në Siri që prej nisjes së luftës atje.

Alvin Berisha, i lindur në Itali, ishte rrëmbyer nga e ëma kur ishte vetëm pesë vjeç dhe dërguar në Siri ku ajo ishte bashkuar me një luftëtar të ISIS. Ai kishte mbetur jetim pas vdekjes së saj dhe qëndronte në kampin e refugjatëve Al-Hor, një ndër më të mbipopulluarit në Siri.

Shkarkoni aplikacionin e A2