Derbi i Shqipërisë, Vllaznia kërkon daljen nga kriza përballë Tiranës

Vllaznia përballet këtë të premte me Tiranën në një nga takimet më të rëndësishme të javës së 12 në kategorinë superiore. Pas humbjes ndaj Bylis, shkodranët sfidojnë bardheblutë e trajnerit Julian Ahmataj, ku në fokus është dalja nga kriza e dy humbjeve të njëpasnjëshme.

“E njohim mirë Tiranën. Ata kanë ndryshuar trajner, rrjedhimisht dhe lojën që është pasqyruar në rezultate. Kemi një krizë rezultatesh dhe mendoj se është normale që të ndodhë tek çdo skuadër. Në këtë kampionat me një fitore mund të kapërcesh shumë pozicione në renditje. Në transfertë kemi treguar se luajmë më mirë. Shpresoj të marrim pikë edhe ndaj Tiranës”, tha trajneri i shkodranëve, Mirsad Jonuz.

Protestat e ashpra ndaj arbitrit në ndeshjen kundër ballshiotëve, i kanë kushtuar dy ndeshje pezullim trajnerit të Vllaznisë. Gjithsesi Jonuz ka besim se skuadra nuk do të ndikohet nga ky faktor përballë Tiranës. “Do të flas me skuadrën përpara ndeshjes. Do të kemi gjithashtu komunikim të vazhdueshëm me dy ndihmësit e mi përgjatë 90 minutave. Mendoj se pavarësisht këtyre vështirësive, lojtarët do të japin maksimumin”, shtoi ai.

Derbi i Shqipërisë, Tirana-Vllaznia do të luhet në një “Selman Stermasi” të boshatisur, pasi mbi 24 kampionët e vendit rëndon ende penalizimi për sjelljen e gabuar të tifozëve në ndeshjen ndaj Partizanit, ndërsa nuk i është konsideruar i vlefshëm shlyerja e detyrimit në ndeshjen e Kupës përballë Shënkollit.

Shkarkoni aplikacionin e A2