Këshilli i Europës: Forcat politike të zgjidhin ngërçin dhe të angazhohen për Reformën Elektorale

Pas një vizite në Tiranë, bashkëraporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) për monitorimin e Shqipërisë, Andrej Hunko (Gjermani, UEL) dhe Joseph O’Reilly (Irlandë, EPP / CD), i kanë bërë thirrje të gjitha forcave politike në Shqipëri të tregojnë vullnet politik për të zgjidhur krizën sistemike politike që ka pllakosur vendin.

“Ne ritheksojmë qëndrimin tonë se parlamenti është forumi për dialog dhe diskutim politik dhe, për këtë arsye, bojkotet dhe djegia e mandateve politike nuk duhet të kenë vend në një shoqëri demokratike. Në të njëjtën kohë, shumica qeverisëse duhet që të mos mbetet vetëm tek fjalët për të mbështetur rolin që duhet të luajë një opozitë në një demokraci pluraliste dhe të angazhohet në dialog dhe konsultim të vërtetë me opozitën për reformat e rëndësishme dhe sfidat politike me të cilat përballet vendi”, theksojnë bashkëraporterët.

Ata nxisin të gjitha forcat politike që të përmbahen nga çdo veprim që mund të rrisë tensionin dhe të minojë më tej pluralizmin politik në vend. Ata mirëpritën mendimin e fundit të Komisionit të Venecias për fuqinë e Presidentit për të caktuar datat e zgjedhjeve, i cili thotë qartë se megjithëse Presidenti “mund të ketë tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese duke anulluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale pa një bazë të veçantë ligjore” kjo, në pikëpamjen e Komisionit të Venecias nuk çon në shkarkimin e Presidentit. Bashkëraportuesit shprehen shpresën se të gjitha forcat politike do të marrin parasysh këtë mendim dhe përfundimet e tij.

Sipas pikëpamjes së bashkëraporterëve, reforma zgjedhore e pasuar nga zgjedhjet mund të jetë çelësi për tejkalimin e krizës politike. Të gjitha forcat politike, përfshirë opozitën parlamentare dhe jashtëparlamentare, duhet të jenë plotësisht të angazhuara në procesin e reformës zgjedhore, në mënyrë që të adresojnë mangësitë e vëna re gjatë zgjedhjeve të mëparshme, dhe – një herë e përgjithmonë – të vendosin për një kornizë për zgjedhje vërtet demokratik, të cilat kanë dakortësinë dhe besimin e të gjithë palëve politike.

Bashkëraporterët përshëndetën angazhimin e shprehur në mënyrë të përsëritur të autoriteteve për të reformuar sistemin gjyqësor dhe drejtësinë në Shqipëri. Sa i përket vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, bashkëraportuesit vunë në dukje se numri i lartë i shkarkimeve dhe dorëheqjeve, është rezultat i këtij procesi. Ndërsa, sipas mendimit të tyre, kjo nxori në pah nevojën e procesit të vetingut, ata shprehën shqetësimin se, kur ka kaluar më shumë se 1 vit nga nisja e vetingut, institucionet kryesore gjyqësore si Gjykatat e Larta dhe Kushtetuese, si dhe Prokuroria dhe Gjykata Speciale Kundër Korrupsionit, ende nuk janë caktuar apo themeluar për shkak të mungesës së kandidatëve të verifikuar. Ata mirëpritën garancitë që këto institucione do të jenë në funksion para fundit të vitit.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme në lidhje me krijimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila mund të luante një rol të rëndësishëm në zbutjen e tensionit politik, pasi aktualisht nuk ka ndonjë arbitër të pavarur që të vendosë për kushtetutshmërinë e vendimeve dhe rezultatin e tyre nga autoritete të ndryshme,” bashkënënvizuan raporterët.

Bashkëraporterët ishin të shqetësuar nga sugjerimet e disa gazetarëve dhe OJQ-ve se mjedisi për median po përkeqësohej. Ata u bënë thirrje autoriteteve që të marrin parasysh të gjitha rekomandimet e bëra nga Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias në lidhje me projektligjin për media dhe shërbime, dhe të publikojnë këtë projektligj sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të largojë çdo shqetësim se ky draft mund të kufizonte lirinë e shprehjes në vend.

Bashkëraporterët thanë se synojnë të paraqesin një informacion për vizitën e tyre gjatë takimit në dhjetor të Komitetit të Monitorimit të PACE.

Shkarkoni aplikacionin e A2