Kushtetuesja, Manja: Afatet janë kushtetuese, nuk i ndryshon dot Presidenti

Pasi Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk e ushtroi të drejtën për të zgjedhur anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, tha se automatikisht në këtë pozicion emërohej Arta Vorpsi.

“E ka thënë Kushtetuta dhe ligji që nëse Presidenti nuk arrin të dekretojë njërin nga tre kandidatët e listës, kandidati i renditur i pari bëhet automatikisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese. E njëjta gjë vlen edhe për Parlamentin”, tha Manja në një prononcim për A2.

Sipas tij, asnjë institucion kushtetues, nuk mund të ndërmarrë veprime që nuk janë në përputhje me Kushtetutën. “Qoftë Presidenti, qoftë Kuvendi i Shqipërisë, në rastin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim tjetër ligjor përveç se të zbatojë Kushtetutën. Afatin 30 ditor, Kushtetuta e ka konsideruar si mekanizëm zhbllokimi. Të dy institucionet kanë detyrimin që brenda 30 ditëve të shprehen”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Manja tha se nëse zonja Vorpsi – e cila është e renditur e para edhe në listën që KED i ka dërguar Kuvendit – do të ketë plotësuar vakancën që duhet të zgjidhet nga Presidenti, atëherë në Kuvend, një prej kandidateve të tjera duhet të marrë 84 vota. “Nëse nuk bëhen, më vlerësimin tim, procedura shpallet nga e para”, tha ai.

Shkarkoni aplikacionin e A2